Albspirit

Media/News/Publishing

Arrestimi i ish-drejtorit të Burgjeve, do transferonte vrasësin me pagesë

Ditën e sotme është arrestuar ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko, me akuzën e korrupsionit duke abuzuar me detyrën. Mësohet se,  ish-drejtori i Burgjeve mori para për të transferuar një të dënuar. Burimet bëjnë të ditur se Arben Cuko mori një shumë parash dhe një makinë, në këmbim të transferimit të Olsi Karagjozit. Por transferimi ka dështuar dhe korrupsioni i ish-drejtorit ka dalë në dritë. Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Kush është Olsi Karagjozi 

Olsi Karagjozi qëllonte biznesmenët, paguhej nga rivalët.  Shënjestra e tij kanë qenë kryesisht biznesmenët dhe sipërmarrësit e mesëm. Ka kryer pesë atentate ndaj tyre, por asnjërin nuk e ka vrarë. Sulmet me armë dyshohet se janë paguar nga kundërshtarët e të dëmtuarve, ndërsa janë vënë në zbatim nga i akuzuari për pesë tentativa vrasjesh dhe një grabitje. Olsi Albert Karagjozi, 36 vjeç, lindur e banues në Laprakë, i njohur edhe me nofkën “Olsi i Qamiles”. I dyshuari për serialin e ngjarjeve është vënë në pranga nga policia e Tiranës pas një hetimi disamujor më 12 janar 2013.  Ndaj tij ishin lëshuar disa urdhra kërkimi nga policia dhe nga gjykata për shkak të krimeve në të cilat ishte implikuar.

Seriali i atentateve

Ngjarja e parë për të cilën është akuzuar Karagjozi ka ndodhur më datë 16 dhjetor të vitit 2010 në Tiranë. Sipas hetimeve, për motive të çastit, 36-vjeçari ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. Guçe, duke e plagosur rëndë atë. Për këtë ngjarje Prokuroria e Tiranës që në vitin 2012 ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ngjarja e dytë për të cilën akuzohet “vrasësi me pagesë” ka ndodhur më datë 10 shkurt 2011 në Paskuqan, Tiranë. Sipas Policisë, për motive të dobëta, ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. Skana, duke e plagosur rëndë atë.

Për këtë ngjarje Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për konsumim të veprës penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Seriali vazhdon me ngjarjen e ndodhur më 7 dhjetor 2012 në Prezë të Tiranës. I akuzuari dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit G. Ciku dhe E. Ziri, duke i plagosur rëndë ata në trup. Kjo ngjarje ka qenë në hetim nga Policia e Tiranës për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”./balkanweb/

 

Please follow and like us: