Arrestohet edhe vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka
Policia e Shtetit mësohet se përveç ish-deputetit socialist të Lezhës, Arben Ndoka ka vënë në pranga edhe vëllanë e tij.
Ai quhet Xhevahir Ndoka i cili është pjesë e së njëjtës çështje për të cilën është ndaluar Arben Ndoka. Arrestimi i tij është bërë në kryeqytet nga forcat RENEA. Arben Ndoka është arrestuar pasi mbi të rëndon akuza e tjetërsimit të pronave në Lezhë.
Pak kohë më parë njërit prej vëllezërve Ndoka, Aleksandrit iu bë një atentat në hyrje të shtëpisë që i mori jetën. Autprët nuk janë zbuluar ende. Për 46-vjeçarin Arben Ndoka, gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj.
Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.
Me gjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim.
Gjithashtu disa ditë më parë, Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark.