Viron Kona: Skela ime
1.
Skela më tërheq përherë magjishëm drejt saj,1)
ashtu siç tërheq zogjtë, detarët, anijet n’port,
“mbretëri” e shenjtë e kujtimeve të fëmijërisë,
prej atje shihet perëndimi më i bukur në botë!
Më përshkon emocioni kur i përmendet emri,
flladi i ëmbël m`i sjellë pranë kujtimet që dua:
shtëpinë, shkollën, rrugicat, plazhin e vjetër,
ku pesë-gjashtë shokë hanim një kokërr ftua.
Përfytyroj anijet që niseshin varg në peshkim,
nga bregu uronim t`u shkonte gjuetia mbarë,
na pushtonte ankthi kur fillonin erëra t’forta,
kur deti tërbohej dhe dallgët ngriheshin “mal”.
Atëherë dilnim e gjithë lagjja në krye të molit,
sytë nga ngushtica nuk i hiqnim asnjë çast,2)
prisnim zemërngrirë që të shfaqeshin anijet,
djemtë që rrezikoheshin në stuhi e në dallgë.
2.
N`Gjirin e Vlorës sikur luheshin pjesë teatrale,
pamjet atje ndryshonin papritmas dhe pa bujë,
shfaqeshin kryqëzorë, katra silurues dhe skafe,
nëndetëse, që zhyteshin e dilnin befas mbi ujë.
Këto pamje te ne zgjonin kureshtje të madhe,
ndaj pyesnim prindërit që të mësonim diçka,
ata na thoshin:“lahuni në det,mbyllnim gojët,
mos bëni shumë pyetje,do t`na fusni në bela!”
Një mëngjes, një vapor e nxori stuhia n`breg,
notuam afër tij dhe e vërejtëm me habi e nge`,
ishin të bindur se ai do të mbetej aty për jetë,
një “lodër e madhe”,-thoshim, kush ish si ne!
Shpejt një anije e vockël i erdhi qark vaporit,3)
ishte një “mizë që donte të tërhiqte nj`elefant”,
kur u lidh me kavo ne s`pushonim së qeshuri,
u habitëm kur ajo tërhoqi aq lehtë atë gjigant.
3.
N`shkollën njëkatëshe t`Skelës mësuam abc-në,
mësuam për “Sheshin e Flamurit” e lashtësinë,
për burrat që erdhën nga gjithë trojet shqiptare,
dhe n`kuvendin e 1912-tës shpallën pavarësinë.
Mësuesit e shkollës na mbanin afër ne fëmijëve,
donin t`bëheshim t`mirë, të kulturuar e të ditur,
ndonëse ndonjëherë neve ua prishnim ca qejfin,
kur shkonim n`shkollë si “toça”, të papërgatitur.
Një mëngjes, kur po kopjoja detyrat te kangjellat,
ca pika shiu ma bën me njolla fletoren e diktimit,
s`harroj kurrë shuplakën zemërake të mësueses,
mesazhin:“se sa i shëmtuar ishte vesi i kopjimit”.
4.
Gjithkush e ka t`shtrenjtë e t`dashur vendlindjen,
për të shprehë gjithmonë ndjenja t`çiltra dhe mall,
është hapësira që zgjon shumë fantazi dhe ëndrra,
është guaska e magjishme, që mban margaritarë.
Skela ditë dhe natë vazhdon të pres e të përcjellë,
peshkatarë e detarë përshkojnë detet tej e mbanë,
tragetet venë e vijnë me turistë, mallra e udhëtarë,
teksa dielli lind n’Kaninë dhe perëndon në Sazan.
————————
- Bëhet fjalë për Skelën e Vlorës, port i mbrojtur nga dallgët e stuhitë, ku ngarkohen e shkarkohen anijet, por edhe ankorohen anije udhëtarësh.
2. Skela është dhe lagje bregdetare e qytetit të Vlorës.
3. Bëhet fjalë për ngushticën ndërmjet “Kepit të Gjuhëzës në Karaburun dhe ishullit të Sazanit,të quajtur ndryshe ngushtica e Mezokanalit 4.8 km e gjerë. Aty pranë është edhe kufiri ku ndahet deti Adriatik nga deti Jon.
4. Rimorkiator: Anije e vogël me motor të fuqishëm, që shërben për të tërhequr anije të tjera.