Trump mund ta shkarkojë Kirstjen Nielsen nga pozita e Sekretares për Siguri të Brendshme
Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se ai dëshiron të largojë Kirstjen Nielsen nga pozita e Sekretares për Siguri të Brendshme dhe mund ta bëjë këtë në javët e ardhshme, ka raportuar gazeta Washington Post, duke cituar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Në një artikull të publikuar të hënën, gazeta ka raportuar se shkarkimi i saj mund të bëhet publik në javët e ardhshme.
Agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar për këtë gjë, megjithatë nuk ka konfirmuar këto raporte.
Sipas gazetës, Trump ka anuluar planet për të udhëtuar me Nielsen, e cila ka qenë e ngarkuar për zbatimin e politikës së tij ndaj migrantëve, ndonëse ishte planifikuar që ata të vizitonin trupat amerikane në kufirin jugor të Teksasit.
Përveç tjerash, gazeta ka raportuar se Trump po synon të zëvendësojë Nielsen me dikë që ka më shumë gatishmëri për të zbatuar politikat e tij rreth migrimit.
Duke u bazuar në tri burime zyrtare, po kjo gazetë ka thënë se shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, i cili po ashtu mund të largohet nga pozita që mban është duke synuar të shtyjë për më vonë ndonjë shkarkim.
Kur janë pyetur nga Washington Post, zyrtarët e Departamentit për Siguri të Brendshme, nuk kanë pranuar që të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë për largimin e Nielsen mirëpo një zëdhënës ka thënë se Sekretarja “është e përkushtuar për të zbatuar agjendën e presidentit për të mbrojtur amerikanët nga të gjitha rreziqet”.