OSHEE i dha tender 12 mln euro Dunwell Haberman
Skandali i kompanisë fantazmë Dunwell Haberman, e cila u shpall fituese në tenderin për Unazën e re, merr përmasa edhe më të rënda, që implikojnë më thellë qeverinë shqiptare.
Publikohen dokumente zyrtare që tregojnë se vetëm një muaj më parë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i ka dhënë kompanisë offshore nga Delaware, përmes degës së saj në Tiranë ‘DH Albania’, një tender me vlerë 12 milionë euro.
Bëhet fjalë për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OSHEE gjatë këtij viti.
Sipas dokumenteve të siguruar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, tenderi është zhvilluar në nëntor dhe Dunwell Haberman Albania e ka fituar atë me 100 për qind të vlerës limit.
Më konkretisht, sipas dokumenteve të APP, fondi limit për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi ishte përcaktuar 1 miliardë e 447 milionë lekë dhe po me këtë çmim është fituar nga DH Albania.
Ky është një sinjal shumë i fortë që ngre dyshime për tender të paracaktuar njësoj si në rastin e Unazës së Re.
Por ky nuk është dyshimi i vetëm.
Dunwell Haberman Albania është krijuar në fund të qershorit të këtij viti si degë e kompanisë Dunwell Haberman të regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara. Vetëm katër muaj më vonë, kjo kompani me administrator Avdjol Dobi, një 26 vjeçar ish recepsionist në një spital privat, merr dy tendera të mëdhenj për një vlerë totale 30 milionë euro, ndërtimin e unazës së Tiranës dhe atë të linjës elektrike Burrel-Peshkopi.
Skandali i Dunwell Haberman u shpërtheu kur emisioni “Të Paekspozuarit” publikoi dokumentet që faktonin se kompania guackë kishte falsifikuar dokumentet, përfshirë bilancet dhe firmën e Sekretarit të Shtetit në Delaware për të fituar tenderin e Unazës së Tiranës me vlerë 18 milionë euro.
Kompania e cila pretendon se ka një eksperiencë 20 vjeçare në fushën e ndërtimit dhe energjisë, ishte krijuar vetëm në 25 qershor të këtij viti, kohë që përkon me vizitën e ministrit të energjisë Damian Gjiknuri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas publikimit të skandalit qeveria u detyrua të anulonte tenderin e Unazës së Re deri në ardhjen e përgjigjeve zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për aktivitetin e kompanisë. Por ndërsa tenderi i unazës është anuluar, pa zhurmë DH Albania ka marrë 12 milionë euro nga OSHEE po me dokumente të falsifikuara, çka e thellon edhe më shumë skandalin korruptiv të kësaj kompanie. Dyshimet janë se pas kompanisë qëndrojnë zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare, të cilët krijuan një shoqëri guackë në Delaware për të marrë 30 milionë euro para publike vetëm në dy tendera, tek Unaza e Tiranës dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë./syri.net