Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Edhe unë jam me studentët!

“Shpresa kryesore e një vendi është edukimi i mirë i rinisë së tij”. Erasmus

Ishte rinia dhe studentët shqiptarë që ndihmuan në bërjen e ndryshimit të madh, me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pothuaj 30-vjet më parë. Por thirrja dhe ëndërra e tyre, pas pothuaj gjysëm shekulli diktaturë komuniste, që ta bënin Shqipërinë si e gjithë Evropa dhe një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e donim shumë prej nesh, nuk është realizuar ende.

Pasi studentët e sotëm janë dëshmitarë se Shqipëria nuk po bëhet si Evropa, ashtu siç e donin paraardhësit e tyre në fillim të 90-ve, këta filiza të rinj po përpiqen sot ta ringjallin atë shpresë dhe ëndërr që mbeti e pa realizuar. Prandaj mos u shqetësoni nga angazhimi qytetar e plot përgjegjësi i studentëve — as qeveria as shteti, as shoqëria, në përgjithësi. Mos kini frikë! Është absolutisht një shfaqje pozitive për shoqërinë shqiptare. Kërkesat e studentëve mund të jenë të kufizuara në numër, por reagimi dhe zemërimi i tyre është një pasqyrim i gjendjes së vështirë të përgjithëshme politike dhe ekonomike, për të mos thënë, kaotike në Shqipëri dhe në botën shqiptare në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën. Aktivizimi i rinisë, pa dyshim se sjell shpresë. Studentët shqiptarë janë plot ëndërra dhe idealizëm për të ardhmen e tyre dhe të kombit të vet. Si rrjedhim, shteti, qeveria, universitetet, edukatorët dhe shoqëria në përgjithësi duhet të bëjnë çdo gjë të mundur që të krijojnë për ta kushtet e përshtatshme dhe një mjedis sa më të mirë edukues, që do të bëjë të mundur realizimin e ëndërrave të tyre dhe t’i bëjë ata pjesëmarrës dhe kontribues të dobishëm në ndërtimin e institucioneve të mirëfillta demokratike: të aftë që të përballen me përgjegjësitë dhe me sfidat që paraqet bota moderne, për ata si individë dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, por edhe konkurentë me të tjerët, në rajon dhe në botë.

Pa rini nuk ka përparim as shtet-ndërtim. Prandaj asaj duhet t’i njihen dhe t’i plotësohen kërkesat, roli dhe pjesëmarrja e tyre në vendimet që kanë të bëjnë me edukimin e studentëve, me të ardhmen e tyre afat shkurtër, por edhe afat gjatë të tyre dhe të vendit ku jetojnë. Rinia është shtylla e një vendi. Është ky një rol që ata e meritojnë! Për ata që mund të dyshojnë se nuk ia vlen të investohet në studentët dhe sstudentet e Kombit në këtë moment, ju lutem shikoni fëtyrat e asaj rinie të bukur, të qeshur, të përmbajtur, të mençur të shëndosh, plot shpresë dhe entuziazëm, por edhe patriotike, të pranishëm në sheshet dhe në universitetet, anë e mbanë vendit. Autoritetet duhet të përfitojnë nga ky rast dhe të marrin masa serioze për plotësimin e kërkesave të tyre dhe të angazhojnë, seriozisht, rininë dhe studentët në jetën e vendit, para se të jenë vonë, pasi e ardhmja e vendit është edhe e ardhëmja e tyre. Është një e ardhëme që përmban plot agime të reja. Është një periudhë e shpresave të guximshme. Ndoshta studentët do t’ia dalin që të shkundin shpirtin e përgjumshëm në radhët e shqiptarëve, për një të ardhme më bujare dhe fatbardhë. Mos kini frikë!

Kombi ka nevojë për filiza të rinj në trungun e vjetër. Kërkesat e studentëve janë edhe politike, përveç kushteve, plotësimin e të cilave ata kërkojnë. A do të këmbëngulin votuesit shqiptarë duke kërkuar një rend të ri politik me njerëz që do të pasqyrojnë vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike? Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se punët deri tashti nuk kanë shkuar aspak mirë, siç dëshmojnë edhe protestat e studentëve prej pothuaj prej 10-ditësh tani në Tiranë dhe anë e mbanë vendit. Ky, fatkeqsisht, mund të jetë vetëm fillimi.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të rinj në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij, fatkeqësisht, gjithnjë aktuale në politikën dhe shoqërinë shqiptare. Ishte përmalluese dhe fatlume skena kur studentët protestues në midis të Tiranës, shpërthyen në këngë patriotike. Ka një uri dhe etje për t’u kthyer në vlerat shpirtërore të trashëgimisë kombëtare iliro-arbërore.

Le të shpresojmë se një brez i rinj politikanësh shqiptarë, i dalur nesër nga përfaqësues të këtyre studentëve që protestojnë sot për të drejtat e tyre anë e mbanë Shqipërisë – mundësisht filiza të rinj në trungun e vjetër të kombit – do të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e sponsorizuar nga oligarkët dhe nga interesat e ngushta të partive aktuale politike. Shpresojmë që ky brez i ri politikanësh, të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe të Kombit, me patriotizëm dhe atdhedashuri, të hapë udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave shekullore kombëtare. Pas një periudhe prej 30-vjetësh post-komunizëm, nuk na ka mbetur tjetër veç të shpresojmë, të shpresojmë në këtë brez të rinisë shqiptare dhe në studentët që e përfaqësojnë atë sot në sheshet dhe universitetet, anë e mbanë Shqipërisë.

Rinia është gjymtyra kryesore e shoqërisë shqiptare sot nëqoftse dëshironi të ndërtoni një të ardhme më të mirë për Shqipërinë e nesërme. Si e tillë edhe duhet të trajtohet. Nga ana tjetër, i takon këtij brezi shqiptarësh që të ndërtojë, më në fund, jo vetëm një Shqipëri si e gjithë Evropa, por edhe një Shqipëri e cila pasqyron (siç kam lexuar diku) edhe fytyrën dhe zemrën e nënave tona, një Shqipëri që, njëkohësisht, adhuron, dashuron e ngushëllon të gjithë bijtë e bijat e saj pa dallim, por mbi të gjitha duam një Shqipëri që është e drejtë për të gjithë dhe pa dallim. Nëqoftëse kjo është Shqipëria që duan dhe që kërkojnë studentët protestues për pothuaj 10-ditë tani anë e mbanë Atdheut, edhe unë jam me ta./ylliriapress/

Please follow and like us: