Albspirit

Media/News/Publishing

Rikthimi i protestave masive si shtysë për kapitullimin e Ramës

Nesër shpresohet se studentët do të mund të mbledhin rreth vetes shumë njerëz e në këtë mënyrë dalëngadalë e gjithë Shqipëria mund të ngrihet në këmbë për të ringjallur protestën masive qytetare për t’i treguar Edi Ramës që ka për të përmbushur, jo vetëm 8 pikat e studentëve, por edhe shumë kërkesa të tjera serioze të qytetarëve shqiptarë. Padiskutim se që të jetë e sukseshme, protesta do duhet ketë mbështetjen maksimale nga ana e të gjitha shtresave shoqërore dhe në këtë mënyrë të shndërrohet mbase edhe më e madhe numerikisht se protesta për armët kimike. Ka ardhur koha që studentët të rendisin krahas kërkesave të tyre të drejta edhe pika të tjera duke tërhequr pas vetes e dhe sindikatat edhe mbështetësit e opozitës edhe cilindo që nuk është dakord me Edi Ramën. Shqipëria pavarësisht pjekurisë së qytetarëve të saj për të protestuar të pandikuar politikisht dhe të paorganizuar si në rastin e armëve kimike, ka ende nevojë për drejtues profesionistë protestash. Mbështetja e një force të madhe politike, aq më tepër e partisë kryesore të opozitës sic është PD, është e domosdoshme në garantimin e suksesit në terren të protestës masive studentore dhe qytetare e që kërkon të ushtrojë presion ndaj qeverisë për të ndalur aventurën e saj me papërgjeshmërinë në drejtimin e vendit. Eksperienca ka provuar se asnjë forum mediatik apo shoqatë e pavarur, asnjë grup shoqëror apo individ i vetëm, nuk mund të jetë më efektiv në organizime masive qytetare sesa partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike. Ndaj edhe gjithë shigjetat dhe debati me nota regresive i të majtëve përqëndrohet tek kjo forcë politike, e cila lajmëron mbështetje pa kushte për studentët në kundërshtimit e politikave antiqytetare të qeverisë socialiste. Në një situatë dhe vend normal nuk do të ishte e vështirë që të kërkoje nga njerëzit që të dalin në rrugë kundër qeverisë të zgjedhur 5 apo 6 vjet më parë. Realiteti shqiptar dhe paaftësia e dukshme e një kabineti të tërë axhami është cfarë shohim sot, Rama ka konsumuar në këtë kohë të gjitha veprat e rënda. Ngado që të hedhësh sytë sot apo ngado që të shkosh e të pyesësh do të gjesh veten në një situatë jo vetëm të pandryshueshme nga ajo e 5 viteve më parë, por edhe më të keqe. Votuesit shqiptarë treguan në qershor të vitit 2013 se i besonin Edi Ramës për premtimet e bëra kryesisht për të ndihmuar ekonomikisht shqiptarët. Ata në fakt nuk i dhanë Ramës shumicën absolute për të qeverisur duke votuar në vlera kuptimplota për një rregullator sic mund të ishte LSI. E gjithë përralla e Partisë Socialiste se ajo mori 1 milionë vota është në thelb mashtrim. Rama është në pushtet sot,por realiteti është realitet dhe kështu duhet trajtuar. Ndaj edhe demokratët nuk janë sot në pushtet dhe demokracia funksionale u la hapësirën normale të majtvëe që të tregonin veten në qeverisjen e vendit. Por pas një m,andati e gjysëm të qeverisë Rama, ajo që konstatohet është pafuqia dhe ngecja në vend e plotësimit qoftë edhe të pjesshëm të disa prioriteteve të qeverisjes sic është punësimi, zhvillimi ekonomik, rendi dhe siguria publike dhe reformat. Asnjë hap domethënës në hapjen e vendeve të reja të punës. Asnjë statistikë mbi të punësuarit e qeverisë Rama. Asnjë front i ri pune dhe asnjë përmirësim i tregut konsumator që do të theksonte cfarëdolloj pozitiviteti në tregun e punës. Por a mund të punësonte njerëz qeveria Rama me shtim të barrës fiskale të bizneseve të mëdha nga 10 në 15%? U provua përgjatë kohës që kjo ishte e pamundur dhe rritja e re e taksave dhe cmimit të energjisë , shoqëruar me reforma kaotike në tregun e lirë dhe me rritje të kufirit të borxhit publik që e përdor jo për të rritur investimet publike, por vetëm që të përballosh për një qeverisje pa mundim, nxorri jashtë pune shumë njerëz. Asnjë shlyerje automatike e TVSH-së bizneseve, asnjë likujdim total kompanive nga borxhet që qeveria e mëparshme u kishte bizneseve, asnjë reformë ekonomike që i jep oksigjen konsumit dhe një dështim i rritjes reale të të ardhurave nga pagat në sistemin publik. Nuk ka ulje të tvsh-së për shportën e ushqimeve bazë, nuk ka ulje të tvsh-së për energjinë elektrike, nuk ka masa mbrojtëse për të varfërit dhe personat me aftësi të kufizuara, nuk ka zbatim të ligjit për punësimin e tyre në cdo 25 persona e kështu me radhë. Të gjithë njerëzit që marrin paga minimale e që janë gati 65% e popullsisë nuk kanë asnjë përfitim, përkundrazi ata shohin cdo ditë rritje të cmimeve të karburantit dhe ushqimeve bazike deri edhe cigarja, kafja e birra dhe në fund energjia. A ka sot më shumë shqiptarë të pasur, a ka sot më shumë shqiptarë të lumtur ka sot më shumë familje shqiptare që kanë dalë nga varfëria, a ka sot më shumë lek në qarkullim dhe a ndjehen sot më të sigurtë shqiptarët? Gjithkush e di se jo. Po atëherë përse duhet që të tolerojnë më tej një ekzekutiv që nuk ka sjellë ndonjë përmirësim? Përse të mos ketë një karton të kuq kësaj radhe që Rama të kuptojë se mund të dalë jashtë loje? Dhe këtu nuk po diskutojmë për hapat mbrapa që janë bërë nga qeveria në rrafshin e konsensusit dhe qetësisë politike që ka të bëjë me trajtimin politik të kundërshtarit zgjedhor. Nëse do të marrim edhe shkeljen e hapur të premtimeve të shkelura përballë BE-së për dialog konstant pozitiv politik me opozitën, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë arsyet e pikpyetjeve që bien mbi qeverinë janë të mëdha. Por politika është gjëja më e parëndësishme ndër interesat e përditshme të qytetarëve. Sepse ata shohin se nuk kanë as shërbime spitalore më të mira, as cmime të ulura të ilaceve, as respekt më të madh kur shkojnë në dyert e klinikave dhe as trajtim më njerëzor në këtë qeverisjeje. Ndaj edhe mosbesimi qytetar është i ligjshëm dhe po kaq e ligjshme edhe organizizmi dhe kanalizimi i të gjitha këtyre pakënaqësive nga opozita shqiptare në përkrahje të studentëve. Askush nuk po kërkon të rikthejë në Shqipëri 21 janarin e vitit 2011 edhe pse arsyet janë shumë më të mëdha sec ishte për PS-në blloku i Ilir Metës. Askush nuk po deklaron se nesër, nëse qeveria nuk tërhiqet do të shkelë mbi të vdekur sic tha Edi Rama ca vite më parë. Askush nuk po kërcënon policinë e shtetit me dhunë dhe shpërfytyrim fizik të oficerëve të gardës. Ndaj edhe askush nuk ka pse të ketë kaq siklet nga dita e protestës së nesërme me studentët. Ajo që do ndodhë nesër është në të mirë të të gjithëve, ndaj durim edhe për pak ditë. Studentët janë pika që ka derdhur gotën e ujit, ata kanë nevojë për ndihmë dhe le të mos e dinë akoma. Durim dhe pak ditë si ajo e nesërmja dhe Edi Rama do të kapitullojë…

Please follow and like us: