Albspirit

Media/News/Publishing

Tasos Livadhitis nën shqipërimin e Jani Malos

Pasionet i jetova si një zjarr

 

Pasionet i jetova si një zjarr, pastaj i pashë të vyshken
dhe të shuhen,
edhe pse i ikja një rreziku, qava
për atë fund që është tek të gjitha. Iu dhashë idealeve
më të mëdha, më pas i mohova,
dhe iu ridhashë edhe më i papërmbajtur. Ndieva
turp para njerëzve të veshur mirë,
dhe faj gjer në vdekje për gjithë të përulurit dhe
të varfërit,
pashë rininë të ikë, dhëmbët të krimben,
dëshiroja të vritesha nga drojtja apo kotësia,
fala ata që më shkatërruan, lëpiva atje ku
pështyva,
jetova çastin çnjerëzor, kur më në fund
zbulon, se je një tjetër
nga ai që pate ëndërruar, turpërova emrin
që të mos mbetej qoftë dhe një pikël egoizmi tek unë –
dhe ishte egoizmi më i tmerrshëm. Netëve qava,
kapitullova ditëve, prapë pandërprerë me atë
demon brenda meje
që i donte të gjitha, i dhashë bëmat më të guximshme,
ëndrrat e mia më të pastra
dhe kishte uri, i dhashë mëkate të rënda, e mbyta në alkool,
në borxhe, poshtërime
dhe kishte uri. U fundosa në vogëlsira
u kacafyta për një gisht vend, akuzova,
bëra llogarinë e borxheve të mia dhe në çastin tjetër,
pa ma kërkuar,
preva copë-copë trupin tim dhe ua ndava
qenve.

Tani, natën qëndroj dhe mendohem, se mbase
mund të shkruaj
një varg, të vërtetë.

Shqipëroi: Jani Malo

Please follow and like us: