Dr. Kryemadhi, letër Arta Markut: Pezullo të gjithë projektin e Unazës së Re
Kryetarja e LSI, dr. Monika Kryemadhi në një shkresë zyrtare i ka bërë thirrje Prokurores së Përgjithshme, Arta Markut, për të pezullohen punimet tek Unaza e Re. “Kërkojmë nga ana juaj marrjen e masës së pezullimit të punimeve në të gjithë projektin e Unazës së Re deri në sqarimin përfundimtar të rrethanave të kësaj çështjeje”, shkruhet në shkresë. Kjo kërkesë vjen pas skandalit me tenderin e Unazës së Madhe, ndërsa LSI kërkon tashmë nga kryeprokurorja pezullimin e punimeve në të gjithë projektin e Unazës së Re deri në sqarimin përfundimtar të rrethanave të kësaj çështjeje. Ndërkohë më herët në një takim me Lëvizjen e Gruas Socialiste për Integrim, kryetarja e LSI, dr. Monika Kryemadhi apeloi prokuroren e përgjithshme Arta Marku të hetojë megaskandalin e Unazës së Madhe. “I bëj thirrje Arta Markut si grua dhe si nënë, që sot ajo është përballë opinionit publik, përballë opozitës e ndërkombëtarëve të tregojë se vlerat e një gruaja janë më të forta se të institucioneve e tundimi e paraja. Ajo sot duhet të jetë e sinqertë me veten e saj, me fëmijët e saj me gratë shqiptare. Hetoje si burrneshë nëse je burrnesh se sot ke shansin për ti dhënë emër grave dhe vajzave shqiptare”- deklaronte Kryemadhi më 8 dhjetor.