Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumenti dhe njerëzit pas DH Albania nxjerrin zbuluar kompaninë e Bashkim Ulajt

Një javë më parë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri konfirmoi  fillimin e hetimeve penale në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër kompanisë Dunwell Haberman, e cila fitoi përmes dokumenteve të falsifikuara dy tendera me vlerë rreth 28 milionë euro nga institucionet në varësi të Gjiknurit.

“Hetimet shumë shpejt do të nxjerrin kush janë aksionerët e vërtetë, kush e ka krijuar atë kompani apo lidhjet me persona të tjerë…” tha ministri në një konferencë për shtyp.

Të dhënat e siguruara nga BIRN sugjerojnë se autoritetet shqiptare nuk kanë arsye të presin hetimet në Shtetet e Bashkuara për të zbuluar pronarët e vërtetë që fshihen pas kompanisë Dunwell Haberman, e regjistruar në Delawere të Shteteve të Bashkuara. “Gjurmët e gishtave” gjendet në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe tregojnë kompaninë Gener 2 të biznesmenit Bashkim Ulaj.

Më 3 dhjetor, pas lidhjes së kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për lotin e parë të Unazës së Re, DH Albania, dega në Shqipëri e Dunwell Haberman vendosi hapjen e një Nipti Sekondar me vendndodhje në sheshrrotullimin Shqiponja. Një mandat arkëtimi i depozituar në QKB tregon se aplikimi për hapjen e adresës së re në kantierin e punimeve është bërë nga Gener 2, përmes një juristeje të kësaj kompanie.

Aplikimi i kryer nga Gener 2, i gjendur mes dokumenteve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve nga kompania DH Albania nuk është prova e vetme që ngre dyshime se pas DH Albania dhe dy tenderave të fituar prej saj qëndron biznesmeni Ulaj. Një rreth i ngushtë prej pesë personash, të cilët kanë kryer veprime për llogari të DH Albania janë ose punonjës të Gener 2, ose të lidhur me aksionerin e saj.

Bashkim Ulaj është një ndër biznesmenët më të lakuar në Shqipëri dhe kompania e tij Gener 2 kryen aktivitete nga fusha e ndërtimit tek energjia. Në korrik 2018, ajo u shpall fituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar për një vlerë prej 225 milionë euro.

BIRN nuk mundi të kontaktonte me zotin Ulaj deri në botimin e këtij shkrimi. E pyetur nëse ishte në dijeni të lidhjeve të Ulajt me kompaninë DH Albania, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u përgjigj se këtë do ta zbulojë Prokuroria.

“Çështja është në hetim nga Prokuroria, e cila do të zbulojë atë çka ka ndodhur, përgjegjësit për falsifikimin e kryer dhe gjithë transparencën e mundshme për kompaninë,” tha këshilltari për mediat Dardan Malaj.

Kompania Dunwell Haberman u themelua më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara- e njohur si parajsë fiskale dhe një muaj më pas hapi degën e saj në Shqipëri, DH Albania. Ekstrakti i kompanisë në QKB tregon se përfaqësuesi në Shqipëri i saj është 26 vjeçari Avdjol Dobi.

Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm. Ajo fitoi lotin e parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë euro si dhe një kontratë rreth 10 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë.

Suksesi i shpejtë i kompanisë së trumbetuar si amerikane u ngrit mbi dokumente të falsifikuara. Sipas rekordeve të dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh në tre vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Por më 6 dhjetor, emisioni “Të Paekspozuarit” në News 24 denoncoi kompaninë “fantazmë” se kishte falsifikuar dokumentet për të fituar lotin e parë të tenderit të Unazës së Re. Një përgjigje e Departamentit të Shtetit të Delawere, e publikuar në këtë emision tregonte se dokumentet e dorëzuara në QKB ishin të falsifikuara dhe se kompania nuk mund të kishte bilanc të tre viteve të fundit, pasi nuk ekzistonte para 25 qershorit 2018.

Ekspozimi i falsifikimit solli një ortek reagimesh, ndërkohë që ARRSH dhe OST deklaruan se kishin anuluar kontratat me DH Albania.  Prokuroria e Tiranës në Shqipëri dhe autoritetet amerikane konfirmuan nisjen e hetimeve për të dokumentuar falsifikimet dhe zbuluar autorësinë e tyre.

http://www.tpz.al/2018/12/17/dokumenti-dhe-njerezit-pas-dh-albania-nxjerrin-zbuluar-kompanine-e-bashkim-ulajt/

 

Please follow and like us: