Mentor Kikia: Në vend të një elegjie
Aq shumë panik nga politika, sa nuk arritën ti hedhin qoftë dhe një gurë.
Aq shumë neveri nga politika, sa në emër të neverisë zgjodhën ti qëndrojnë sa më larg.
Aq shumë urrejtje ndaj partive por nuk arritën ti shkojnë asnjërës deri tek dera për ti rënë me shkelm.
Aq shumë mllef kundër politikës, por as edhe një kërkesë të vetme për të vënë gishtin mbi këtë plagë.
Aq shumë dëshirë për të ndryshuar diçka në këtë vend, që më shumë se kujtdo u përket atyre, por nuk arritën të hedhin as edhe një ide të vetme se çfarë mund të ndryshojnë.
Aq shumnë dëshirë për ta bërë një protestë popullore, por mbetën me vendosmeri vetëm brenda gardhit të universitetit.
Aq shumë pritshmëri nga qytetarët, sa kishte dhe nga ata që, në eufori e sipër anulluan ikjen nga Shqipëria. Por asgjë nga ajo që ata prisnin.
Aq shumë energji, por asnjë lëkundje.
Aq shumë thirrje kundër politizimit të protestës, por aq shumë mercenarë politikë brenda saj, që jo vetëm e moderuan, por edhe e paketuan dhe e nisën më në fund edhe me pushime.
Dhe ja, pas mbeti një kujtim i mrekullueshëm dhe këto batanije në bulevard si teshat e krevatit të atij që sapo ka ndërruar jetë.