Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: Letër për Krishtlindjet

Të nderuarit miq dhe mikesha, si anarshist poetik i “Lirisë së Lirë!”, adhurues i të gjitha imagjinatave të pafundme dhe utopive njerëzore, si humanist intuitiv, përfundimisht kurioz dhe i hapur ndaj çdo Njeriu, Kafshe, Bimë, Gjallesë, Kulture apo Gjeografie ende e panjohur nga unë…si person ultra tolerant, pacifist, i rrënjosur në gjenezë, besnik ndaj pikënisjes, por i demultiplikuar në infinit, i zhytur dhe i pasuruar nga çdo eksperiencë apo dituri e ré tokësore, ndoshta edhe kozmike…kam menduar gjithmonë që çdo Festë e Globit, vlen për ta celebruar, sepse me logjikë na ofron një moment gëzimi dhe bashkimi rreth disa vlerave të cilat tingëllojnë pozitivisht në shpirtërat tnë.
Pyetja është në çka besojmë thellësisht dhe cilat janë ato mistere, energji të padukshme, pikëpyetje të papërgjigje, vlera të përjetshme, të cilat na bashkojnë dhe na bëjnë të gjithë, pa dallime feje, ideologjie, race apo tradite, si pjesë intime e mbarë njerëzimit tokësor?
Ateist, Marksist, Liberal, Socialist, Ekologjist, Katolik, Myslimanë, Protestantë, Ortodoks, Hebraik apo Budist… nuk mund të paragjykojmë dhe sipas meje, të gjitha duhet t’i respektojmë parimisht. Sepse ka diçka përtej këtyre etiketave, emërimeve, që në thelb na lidh, na bashkon si anëtarë të njerëzimit dhe banorë të përkohshëm të këtij planeti BLU!
Ta pyesim vetën miqësisht: çka na bashkon së pari ne si Shqiptarë të SHQIPËRISË mes krahinave, feve, fiseve, etjera në një shtet aq të vogël me 3 milionë banorë? Po pastaj çka na bashkon me Shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, me minoritetet tona të tjera këndej e andej dhe Shqiptarët e Diasporës? Ku është pikëtakimi, ajo epiqendra identitare, lidhja qendrore, elementet thelbësore të pasqyrimit dhe identifikimit tonë të përbashkët?
E pastaj, çka na bashkon ne me EUROPËN… e më në fund me botën?
Si Elefant i Kujtesave burimore, si Poet i lidhur me Lindjen time, por pastaj si Njeri totalisht
i zgjidhur, por me një dashuri dhe respekti spontan i pakalkuluar ndaj vetvetes, ndaj çka jemi (të mirë apo të këqij, me kualitete e plot defekte, me siguri!)…kthehemi pas një hallakatje të paimagjinueshme gjithmonë nga JU, nga kjo TOKË antike e të parëve, sepse këtu flet diçka tjetër brenda meje, ndoshta Gjenetika, ose Memoria e Stërgjyshërve?
Pavarësisht çka jemi, në çka besojmë, me kënd jemi apo nuk jemi : nuk ka fare rëndësi.
A jemi së pari të gjithë Shqiptarë, që flasim shqip dhe që jetojmë në këto Troje?
Mua m’intereson llojllojshmëria, stilet dhe mendimet e ndryshme, e jo Filozofia unike e imponuar me Qytetarë komplet të klonuar dhe të formatuar. Ne, na duhen sot e nesër urgjentisht: Historia e saktë në bazë ekskluzive të arshivave nëpër Bibliotekat botërore, Bazat e vërteta identitare komplet të faktuara, Kultura gjenerale e gjithanshme sa më e thelluar, Hulumtimet, Zbulimet, konservimet e gjithë thesarëve tona, pastaj na duhen: Humanizmi, Toleranca, Respekti dhe Dashuria mes veti … Mirësia dhe Mirëkuptimi!
DHE ME RASTIN E KËTYRE FESTAVE: po ua uroj të gjithëve sinqerisht me zemër e shpirt, pavarësisht se çka mund të mendoni për mua (s’është fare problem, është liria e juaj!)
Porse unë iu dëshiroj një KRISHTLINDJE plot paqe, harmoni, inspirim pozitiv e dashuri mes të afërmëve tuaj, familjes…rreth vlerave që iu lidhin dhe iu bashkojnë, GËZUAR!
Pastaj ua uroj një VIT TË RI 2019 me shumë lumturi, suksese në jetë, dhe shpresoj që do iu realizohen gjithë ëndrrat dhe dëshirat e juaja në vitin e ardhshëm. URIME TË GJITHËVE!
Ju përqafoj me shumë respekt…kalofshi si është më mirë! Çone gotën e Shampanjes!
SKENDER SHERIFI, dora vetë (Tokësorë dhe Ekstratokësorë) nga territori i Poezisë…pra i Lirisë!

Please follow and like us: