Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Puçi i Ramës në diplomaci

Një puç institucional u konsumua sot në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Edi Rama shkoi atje për t’u prezantuar edhe si ministër i ri, por menjëherë ia delegoi detyrën zv/ministrit Gent Cakaj. Më vjen keq që zoti Cakaj, në javët e fundit është bërë objekt kritikash e vlerësimesh negative dhe qëllimi im nuk është aspak ta rëndoj pozitën e tij. Nuk ka asnjë habi me veprimet e Ramës. Ai nuk ka haber nga punët e shtetin dhe kurrë nuk ka qeverisur në të mirë të vendit. Këmbëngulja e tij për të vënë një 28-vjeçar në krye të diplomacisë dhe që e bëri zyrtare sot, edhe pse iu rrëzua dekreti, nuk ka lidhje as me moshën e re të kandidatit, as me diturinë e madhe, as me qenien e tij nga Kosova. Rama do atje një “djalë të bindur”, apo siç thonë “gojët e liga”, një alibi apo mbulesë për surprizat e zhvillimeve të ardhëshme kur edhe mund të gjendet nën akuzë. Ai nuk do diplomat karriere në krye të ministrisë në fjalë. Shqipëria ka me dhjetra që kanë përvoja diplomatike personale, aq sa ka moshën i deleguari i tij i kompetencave.

Ministri i ri ‘de facto’, tha në fjalën e tij se nuk do të ndryshojë asgjë në politikën e jashtme të Shqipëisë as në rajon, as në botë. U harrua e ashtuquajtura diplomaci ekonomike që do të sillte në vend investimet e huaja. Shqipëria do të vijojë të jetë një vend pa peshë në rajon, servil dhe i ndikuar nga interesat e huaja, do vazhdojë një politikë të jashtme konfuze, pa bosht, krejtësisht të gabuar në ndërtimin e aleancave strategjike, pa integritet dhe joefektive. Shqipëria do të vijojë të ketë të njëjtat pozita inferioriteti dhe humbëse në bisedimet e pambyllura me Greqinë për heqjen e Ligjit të Luftës, përcaktimin e kufijve tokësorë dhe ndarjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike në detin Jon, ku deri tani pala greke ka thënë se ka marrë përfitime të shumta.

Shqipëria do të vijojë të jetë e pafuqishme për të përmirësuar përfaqësimin politik dhe institucional, pozitën shoqërore dhe nivelin ekonomik të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në vendet fqinje.

Rama do të vijojë të jetë i vetmi kryeministër që as nuk pritet dhe as nuk e pret kush në vendet fqinje, Europë dhe më gjerë.

Akti i sotëm në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme është vetëm një dëshmi e dramës qeverisëse me të cilën përballet Shqipëria. Është shfaqje e tutkunëve, pa përvojë, dituri e përgjegjësi që e konsiderojnë drejtimin e punëve të shtetit si një PPP për të nxjerrë fitimet e tyre personale.

#Zgjidhja#Diplomacia#Puçi#Shqipëria

Please follow and like us: