Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Skenari rumun i PS-PD-LSI

Kryeministri, PD dhe LSI janë hedhur në sulm të pashembullt për të bllokuar veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një organ i ri i Drejtësisë i sapokrijuar përmes procesit të Vetingut. Nxitimi ka të bëjë me momentin e krijimit të Prokurorisë Speciale dhe Byrosë së Hetimeve (SPAK). Mësojmë se kanë kaluar tre aplikimet e para dhe priten edhe 12 të tjera që të nisë nga puna SPAK. Lidershipi i tri partive të vjetra PS, PD, LSI, të zhytur në korrupsion, kanë frikë nga përballja për herë të parë me drejtësinë që nuk e emërojnë dhe nuk e kontrollojnë për shkak të mekanizmit të vetingut. Edhe protestat e paralajmëruar nga PD dhe LSI janë në kuadër të planit për krijimin e trazirave për të bërë të pamundur funksionimin e Drejtësisë dhe për t’i hapur rrugë marrëveshjeve mbikushtetuse, të tipit të 17 majti 2017. Lojërat e PD dhe LSI se gjoja kërkojnë “qeveri tranzitore” duan t’i japin oksigjen sistemit të rotacionit të korruptuar duke shmangur funksionimin e Kushtetutës dhe Drejtësisë. Strategët e korrupsionit (sot sipas Transparency International, Shqipëria humbi 8 vende në renditjen botërore për korrupsionin), do të tentojnë skenarin rumun që të bllokojnë organet e Drejtësisë. Këto tre ditë, mazhoranca, PD dhe LSI kanë drejtuar goditjen tek Prokuroria. Kryeministri përmes Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit, i cili me vonesë, jashtë afateve kushtetuese, nxori një dosje, sikur anëtari i KLP, Bujar Sheshi, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, fakt që ky nuk e pranon, madje ka bërë kallëzim penal ndaj këtij institucioni për shpifje dhe denigrim (Siç duket edhe nga dokumentet që kanë rrjedhur nga Autoriteti i Dosjeve, gjeneralitetet e kartelës nuk përputhen me ato të prokurorit). Dosja fillimisht u shit nga PD dhe më vonë, një organ tjetër, Komisioni i Monitorimit të Vetingut i kërkoi KLP-së që të shkarkojë anëtarin, ende pa u njohur me shqyrtimin e çështjes. Përse nxitoi ky organ monitorues? Sepse është krijuar nga mazhoranca në Kuvend për t’i vënë shkopinj nën rrota Vetingut dhe për të neutralizuar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Detyra e këtij komisioni, në rastin më të mirë është të ndjekë përfundimin e proceseve dhe të japë vlerësime, por jo të ndërhyrje në punën e një institucioni të pavarur të drejtësisë. Një zhvillim tjetër, tregues i presionit politik ndaj njerëzve që aplikojnë për në institucionet e reja të Drejtësisë, është dorëheqja e sotme nga kandidimi për në Gjykatën Kushtetuese e Ardian Dvoranit. Pasi kaloi vetingun, Dvorani kishte kryer procedurat e aplikimit për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Edhe ky është sulmuar nga PD me akuza politike. Kuptohet, edhe interesi i mazhorancës, i dëshmuar me veprime konkrete, që të punojë pa Gjykatë Kushtetuese, të kalojë ligje korruptive antikushtetuese dhe antipopullore, për koncesione, kulla dhe zhvatje të pasurisë shtetërore. Partia “Zgjidhja” u bën thirrje juristëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve që plotësojnë kushtet, të aplikojnë për këto detyra duke treguar guxim dhe besnikëri ndaj Atdheut dhe rendit kushtetues. Partia “Zgjidhja” u bën apel ambasadave të BE dhe SHBA, që në këtë moment delikat, të mbrojnë nga këto ndërhyrje procesin e vetingut dhe të krijimit të organeve të reja të drejtësisë. Nga ana tjetër, udhëheqja e korruptuar e këtyre partive duhet ta dijë se nuk i shpëton dot një drejtësie më të madhe, populli do t’i heqë shumë shpejt nga skena duke imponuar çlirimin e zgjedhjeve nga thonjtë e tyre dhe rivendosjen e Kushtetutës. “Zgjidhja” u bën thirrje njerëzve të thjeshtë të mbështesin studentët, si protesta e vetme civile, të cilën qeveria dhe opozita nuk arritën dot ta helmojnë dhe manipulojnë. Fitorja e protestës së tyre afron demokracinë e vërtetë dhe shënon fillimin e fundit të regjimit të korruptuar të tri partive të vjetra./shekulli/

Please follow and like us: