Iran, po vjen 40-vjetori i një fashizmi fetar
Shahriar Kia
40-vjetori i Revolucionit anti-monarkik të 1979-ës do të jetë muajin që vjen. Regjimi iranian ka në plan ta bëjë të madh këtë përvjetor dhe po mundohet shumë që të duket sikur këto 40 vite kanë qenë një sukses.
Gjatë katër dekadave të fundit, regjimi iranian vetëm sa e ka shkatërruar vendin. Ka probleme të panumërta shoqërore duke përfshirë një nivel të lartë të përdorimit të drogës dhe gjithnjë e më shumë njerëz po bien nën kufirin e varfërisë absolute. Problemet mjedisore po përkeqësohen dhe regjimi nuk i pranon ato. Nivelet e papunësisë janë shumë shqetësuese dhe ekonomia po dështon.
Për më tepër, niveli i pakënaqësisë në vend është shumë i lartë dhe populli është kaq i zemëruar me regjimin klerikal saqë po bën thirrje për ndryshim regjimi. Korrupsioni ka marrë dhenë në të gjitha nivelet e udhëheqëjes dhe biliona dollarë shpenzohen në eksportimin e terrorizmit e në veprime të panumërta luftarake në mbarë rajonin.
Duke patur parasysh gjithë këtë, është e habitshme të dëgjosh perspektivën e gëzueshme të regjimit ndaj katër dekadave të shkuara. Një anëtar i Këshillit të Gardianëve, mullahu Mohammad Yazdi, thotë: “Në këto 40 vjet, i kemi bërë këtij vendi një shërbim me vlerë sa 400 vjet dhe kemi patur një rritje e progres me vlerë sa 400 vjet; teknologjia, pajiisjet e ndryshme, popullsia dhe stili i jetesës, dhe tani është krejtësisht ndryshe nga e shkuara.”
Të vetmit përfitues në 40 vitet e shkuara kanë qenë zyrtarët e regjimit. Më i madhi nga të gjithë, ekonomikisht, është udhëheqësi i regjimit, Ali Khamenei. Ai ka një pasuri me vlerë rreth $95 bilion. Sigurisht kjo ka ardhur për shkak të praktikave të tij të korruptuara. Anëtarë të tjerë të regjimit kanë gjithashtu pasuri masive vetjake, në veçanti Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif dhe Kryetari i Parlamentit Ali Larijani, të cilët i kanë përdorur pozicionet e tyre për të fituar një pasuri personale prej dhjetëra miliona dollarësh.
Ndërkohë që regjimi plaçkit pasurinë e kombit, populli po bëhet gjithnjë e më i varfër. Ka një numër të madh njerëzish që nuk mund të përballojnë as nevojat më themelore. Nuk shihet asnjë dritë shpëtimi në horizont ndërsa nivelet e papunësisë vazhdojnë të bien. Llogaritjet e fundit tregojnë se 3 milion iranianë janë të aftë për punë, por nuk mund të gjejnë punësim. Dhe nga ky numër, rreth 40 përqind janë të diplomuar rishtas.
Që nga vitet shtatëdhjetë, GDP per kapita në Iran ka zbritur me mbi 30 përqind. Vlera e monedhës kombëtare, rialit, është ulur gjithashtu në mënyrë dramatike, siç është ulur edhe fuqia blerëse e popullit.
Banka Botërore e rendit ekonominë e Iranit në vendin e 27-të në botë. Dyzet vjet më parë, mbante vendin e 17-të. Kjo përfaqëson një nga uljet më dramatike në histori.
Populli i Iranit është tani 30 përqind më i varfër sesa në vitin 1979.
Është e qartë se njerëzit janë të shqetësuar për të ardhmen dhe nuk është çudi që kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit të përhapur dhe keqmenaxhimit të regjimit klerikal. Ndërsa feston 40-vjetorin e tij, regjimi duhet gjithashtu të shqetësohet se a do të jetë ky përvjetori i fundit që do të “festojë”, pasi populli është i vendosur ta heqë qafe këtë regjim në mënyrë që Irani të lulëzojë më në fund edhe një herë.