Liria e fëmijës për të qenë prind i vetvetes
Eni Feruli*
Profesioni më i vështirë it ë gjitha kohërave është prindërimi. Të jesh prind është dhuratë, është detyrë, është sakrificë dhe njëkohësisht është edhe një dhuratë perëndie, detyrë përpara njerëzimit dhe sakrificë përballë vetes, shoqërisë dhe vetë fëmijës që rritet.
Nuk ka një manual shterues që t’i mesojë prindit profesionin e prindit. Sepse çdo individ është një univers më vete dhe po aq i ndryshëm nga njëri-tjetri si çdo univers ende i paeksploruar. E megjithatë, edukimi, por edhe instikti na drejton sesi të bëhemi mësues-prind-diktues në jetën e fëmijës. Zakonisht, si rregull dhe jo si përjashtim, ne të gjithë imitojmë sjelljen e prindërve tanë. Gjithësecili mund të gjejë në fjalët apo këshillat që i jep fëmijës së tij gjurmë të fjalëve dhe këshillave që ka marë në vetë fëmijërinë e tij. Si një përvojë që përcillet nga brezi në brez dhe si një “ADN” shpirti e mendjeje, dashurie e ankthi, ndjenjë njerëzore e leksion shkolle e jete.
Eshtë e famshme shprehja që përdorej shpesh dikur edhe në rrethanat e varfërisë së thellë të regjimit të vjetër: “Fëmijës nuk duhet t;i mbushësh vetëm barkun me bukë”! Sot, një shprehje të tillë e thotë një fëmijë vetëm katër vjeçm një djalë i mrekullueshëm si i dalë nga ëndrrat. Natyrisht në një mënyrë tjetër. Dhe natyrisht si refleks i aty për atyshëm i një gabimi të hershëm e të vazhdueshëm prindëror: “Tezja më blen dhurata, kurse ti di vetëm të më japësh për të ngrënë”, qorton ai të ëmën. Në të vërtetë, shtëpia e këtij fëmije është e mbushur me lodra dhe me dashurinë e pakushtëzuar të prindërve të tij. Por të dhënë jo në mënyrën e duhur. Dhe duke shkaktuar thyerje në atë që fëmija e quan dëshirë që i duhet të realizohet dhe të drejtë që ai e ka të pandryshueshme.
Ka një histori tjetër që e ndesh në një libër psikologjie për historinë e një fëmije tjetër. Një nga ata fëmijë që duket se vijnë në botë vetëm për të bërë prindërit të lumtur. I mbarë dhe i dëgjueshëm. Endërronte të këndonte, por e ëma matematikane nuk e lejonte dhe i kishte projektuar një jetë mes mësimëve dhe kurseve të pafundme të matematikës e shkencave të tjera dhe stërvitjeve në not. Vite më pas, një rrethanë kapriçioze e fatit bëri që një muzikant i njohur ta dëgjonte kur këndonte dhe jeta e tij mori kthesë të plotë. U harruan të gjitha dhe tani ai është këngëtar. Ëndrra e tij në sirtar pati një fund të lumtur, një vijim të mbarë dhe ai tani jeton ëndrrën e tij. Ndërsa e ëma që kishte projektuar vetveten tek fëmija i saj, beson ende në fajin e saj. Sepse faji ishte i saj.
Prindër, i tregova shkurtimisht këto dy ngjarje reale të shkëputura nga jeta reale duke ju lutur për pak caste reflektimi. Historitë dramatike të këtyre ditëve me të mitur, kanë nevojë për të menduar gjatë rreth tyre. Përpara se t’i kthejmë studio e debateve në arena gladiatorësh ku viktimat viktimizohen edhe më tej, duhet të kuptojmë se të gjithë, kush më shumë e kush më pak, jemi bashkëfajtorë në këto histori tmerri dhe se askush, nuk mund të jetë profet që vetëm gjykon. Duke ju lutur prindërve për reflektim, i ftoj ata sërish me lutje: që t’i japin penën në dorë fëmijëve që të shkruajë, penelat që të pikturojë, muzikën për ta ndjerë, topin për të luajtur apo tapetin për t’u ushtruar. Mbi të gjitha, prindër, jepuni hapësirën e lirisë që të ndjehet dhe vetë fëmija një lloj prindi i vetvetes. Jepini hapësirë që ai të bërtasë atëherë kur e ndjen se i duhet t’i bërtasë gjithë botës. Nëse nuk e bëjmë të gjithë, do t’i japim të ardhmes robotë të telekomanduar, por që nuk do të jenë të aftë në mbijetesë as sa gjysma e gjyshërve të tyre. Sepse fëmijët tanë nuk janë NE. Janë ATA!
*Psikologe Klinike dhe Terapiste kundër drogave.