NATO-ja në mbrojtje të Pavarësisë
Sivjet shënohet 100 vjetori i lindjes së shteteve të pavarura në Europën qendrore dhe lindore pas rënies së perandorive ruse, gjermane, austriake dhe otomane. Për shumicën e këtyre vendeve pavarësia vazhdoi të pengohej gjatë shekullit 20 deri në rënien e perandorisë sovjetike pothuaj para 30 vitesh. Duke i ditur ambiciet e imperialisti të fundit të Europës – Rusisë – dhe pasojave shkatërrimtare të tolerimit të pushtetit grabitqar, misioni i NATO-s, i fuqizimit të sigurisë së çdo anëtari të saj sot është po aq jetik sa edhe mbrojtja e Europës perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë. Revolucionet politike të viteve1989-1991 siguruan çlirimin e 21 vendeve nga dominimi i Moskës dhe u çliruan edhe 7 shtete të tjera me shpërbërjen e Jugosllavisë.
Derisa komunizmi është një ankth që po zbehet, beteja për ruajtjen e pavarësisë shtetërore vazhdon edhe sot. Regjimi i Putinit kërkon kthimin e transformimeve të epokës së pas Luftës së Ftohtë gjatë së cilës Rusia i humbi satelitët e saj, e humbi epërsinë e saj rajonale dhe hoqi dorë nga roli i saj global.
Moska tenton ta ndajë Perëndimin dhe një nga metodat është të shkaktojë përçarje mes Amerikës dhe Evropës. Historia është kthyer mbrapshtë me pohimet që Uashingtoni e ka kufizuar sovranitetin e vendeve evropiane. Në realitet, gjatë shekullit të kaluar Amerika ka flijuar gjakun e saj dhe pasurinë në mbrojtje të pavarësisë së Evropës dhe mbetet e zotuar ndaj NATO-s si mbrojtësin më efektiv të shtetësisë.
Për të kompensuar inferioritetin e saj ushtarak, Moska eksploron cenueshmërinë e perëndimit përmes sulmeve kibernetike, spiunazhit, dezinformatave, korrupsionit dhe mjeteve të tjera të “forcës së butë”. Ndërhyja e Kremlinit në zgjedhjet presidenciale amerikane është thjesht një maje e ekspozuar e akullnajës së shkatërrimit kundër perëndimor.
Qëllimi është të bëhet ndarja në politikat vendore dhe të paralizohet politika e jashtme. Lufta informative e Kremlinit gjithashtu promovon një agjendë kundër BE-s për ta ndarë Europën dhe për të penguar një front të përbashkët diplomatik ndaj Rusisë. Fushata propaganduese kundër liberalizmit u bën thirrje elektoratit konservator dhe nacionalist në të cilën Rusia është portretizuar si një mburojë e krishterë.
Marrëveshjet për energji dhe joshja për biznes janë projektuar për t’i ngatërruar shtetet në projektet e Kremlinit dhe për të zvogëluar kundërshtimin e tyre ndaj politikës së jashtme të Moskës. Kërcënimet me luftë nukleare janë synuar t’i qetësojnë politikanët perëndimor dhe t’i parandalojnë që ta forcojnë krahun lindor të NATO-s.
Çdo shpërthim nacionalizmi dhe populizmi në Evropë i favorizon objektivat rajonale të Kremlinit duke i dobësuar institucionet demokratike, me ekspozimin e tyre ndaj korrupsionit, dhe duke e minuar ndjekjen e politikës së përbashkët trans-atlantike të sigurisë. Pa një NATO të unifikuar për çka çdo aleat kontribuon sipas mundësive të tyre, pavarësia e çdo anëtari rrezikohet.