Ndalohet ish-kryetari i parlamentit dhe dy ish-ministra
Policia e Maqedonisë së Veriut ndaloi në orët e vona të pasditës të së mërkurës ish-Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski dhe dy ish-anëtarë të qeverisë së Nikolla Gruevskit, nën dyshimet për përfshirjen e tyre në organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlament, në prill të vitit 2017.
Ata janë dërguar në Gjykatën Themelore në Shkup, me urdhër të Prokurorisë për Krim të Organizuar. Ndërkohë, një pjesë e medias, duke cituar burime brenda prokurorisë, thotë se edhe për ish-kryeministrin Gruevski është lëshuar urdhër-arresti, po për këtë çështje. Ky i fundit ndodhet në Hungari, ku ka gjetur strehim, duke iu shmangur në këtë mënyrë drejtësisë. Atij i janë caktuar dy vjet burg për shkaqe korrupsioni në një tender për blerjen e një makine Mercedes me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh.
Një prej dëshmitarëve në procesin e gjyqit të lëndës “27 prill, 2017” Aleksandar Vasilevski i njohur me nofkën “Ninxha” kishte pohuar se zoti Gruevski ishte organizatori i këtyre ngjarjeve të dhunshme. Sipas tij, planet dhe urdhërat merreshin nga selia e partisë VMRO-DPMNE.
Gjatë gjyqit është lexuar një mesazh telefonik i dërguar nga Nikolla Gruevski ish-Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov ku shkruhej: “Mirëmëngjes drejtor. Të ju njoftoj se në këtë çast mora një informatë nga një koleg lojal shqiptar se sot rreth orës 13 planifikohet diçka nga pala tjetër, ndonjë incident apo votim me forcë të kryetarit të Parlamentit. Tani për tani nuk kam informata të tjera”, thuhej në SMS-në e z. Gruevski në 27 prillin e 2017-s. Gruevski atë ditë ndodhej në Vjenë.
Ndërkohë, në një SMS të ish-kryetarit të Parlamentit, Trajko Veljanovski dërguar disa personave, demonstrues para selisë së parlamentit, thuhej: “Nëse duhet me mburojë të gjallë do ta pengojmë zgjedhjen e kryetarit të parlamentit”. Z. Vlejanovski, megjithatë ka imunitet të deputetit. Ai doli nga gjykata pas orës 19 të mërkuren. Ndërkaq, ish ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski mbetën brenda në gjykatë. Ende nuk dihet nëse do të caktohet masa e paraburgimit për ta.
Procesi gjyqësor është nga fundi. Kanë mbetur edhe katër persona të akuzuar, avokatët e të cilëve duhet të bëjnë fjalën përmbyllëse. Dënimet më të ulëta për këtë rast parashikohen të jenë së paku 10 vjet burg.