BE nuk mund t’i ketë të gjitha për sa i përket Iranit
Shahriar Kia
Irani është përshkruar si kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme, si dhe është identifikuar si eksportuesi më i madh i terrorizmit në botë.
Administrata Trump është betuar se do të marrë masa të rënda mbi regjimin iranian dhe ndodhet në mes të një fushate të presionit maksimal.
Presidenti Trump dhe anëtarë të lartë të administratës së tij i kanë justifikuar politikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, duke listuar jo vetëm veprimtaritë e tij luftarake në Lindjen e Mesme, duke përfshirë mbështetjen e gjerë ndaj grupeve proksi dhe militantëve terroristë, por edhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut.
Populli i Iranit shtypet brutalisht dhe regjimi nuk toleron asnjë kundërshtim. Ata që guxojnë ta ngrenë zërin kundër politikave vrasëse të regjimit dhe shtypjes së dhunshme rrezikojnë jo vetëm torturën, arrestimin dhe burgosjen, por edhe ekzekutimin. Regjimi është përpjekur, gjatë katër dekadave të shkuara, ta eliminojë opozitën.
Iranianët kanë treguar se janë të gatshëm për ndryshim regjimi dhe opozita e organizuar i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos rrijë i heshtur ndaj gjendjes së këtij populli.
Bashkimi Europian është treguar relativisht i heshtur për sa i përket Iranit. Duket qartë se ai është në mëdyshje midis dëshirës për të ruajtur një marrëdhënie biznesi me Iranin dhe sjelljes luftarake të tij e cila po e destabilizon Lindjen e Mesme.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania kanë krijuar një mjet të qëllimit të veçantë (SPV) në mënyrë që tregtia me Iranin të mund të vazhdojë pa u ndikuar nga sanksionet amerikane që janë ri-vendosur. Administrata Trump me siguri nuk do të heshtë përballë përpjekjeve të BE-së për të anashkaluar sanksionet. Është një masë që do të përfundojë në dështim.
Megjithatë, BE ka folur rreth shqetësimeve të saj lidhur me ndërhyrjen dhe rolin e Iranit në Lindjen e Mesme dhe ka thënë se programi iranian i raketave balistike është shqetësues.
Si mundet BE t’i lërë mënjanë veprimtaritë malinje të Iranit për të gjetur mënyra për të bërë biznes me të? Kjo është një kontradiktë që ajo duhet ta zgjidhë pasi mesazhi që kjo gjë përçon është shqetësues. BE po thotë se është e gatshme ta vërë marrëdhënien tregtare përmbi të drejtat e njeriut. Kjo do të thotë që BE do të mbyllë njërin sy ndaj veprimtarive terroriste nëse ka potencial për marrëveshje tregtare. Po i jep regjimit iranian dritën jeshile për të vazhduar në të njëjtën mënyrë dhe po përçon mesazhin se nuk do ta vërë regjimin përpara përgjegjësisë për veprimet e tij.
Për shembull – Bashkimi Europian e paralajmëroi Iranin kundër testimit të raketave balistike dhe vetëm pak ditë më vonë regjimi iranian nisi të mburrej për fabrikën e tij nëntokësore të raketave dhe për raketën e tij të re sipërfaqësore.
BE nuk duhet ta paqësojë më regjimin. Ajo po bëhet vërtet qesharake pasi po lejon që regjimi i pasjellshëm të luajë me të. Shpërfillja e plotë ndaj të drejtave të njeriut, dhuna në rajon, veprimtaritë terroriste, kërcënimi i raketave balistike – çfarë i duhet më shumë BE-së që të kuptojë se tregtia me Iranin nuk duhet të lehtësohet?