Albspirit

Media/News/Publishing

Simpoziumi shkencor “Qasje aktuale studimore ndaj komunizmit“ dhe forumi “Kujtesa dhe demokracia”

 

“Komunizmi mbetet ende prezant në të tashmen e Shqipërisë, por provat janë mjeti më i fortë që kanë sot historianët në duar për të sjellë një panoramë të qartë të Shqipërisë në ato vite”. Kështu e nisi diskutimin e tij sot historiani Bernd J. Fischer në simpoziumin e organizuar nga IDMC mbi qasjen aktuale studimore ndaj komunizmit, i konceptuar si forum shkëmbimi përvojash e idesh. Fischer tregoi përpara të pranishmëve sfidat që sjell puna me dokumentet duke paraqitur detaje nga dy raporte ai gjerman dhe ai amerikan që kanë studiuar atë periudhë, të prodhuara nga ekspertë të huaj, përkatësisht raporti i Vermaht-it mbi Shqipërinë, dhe studimi i Jacobsonit. Sipas raportit 50 faqësh të Vermaht-it data e largimit të gjermanëve nga vendi ynë ka qenë 4 dhjetor 1944, por Fischer nuk u ndal gjatë në këtë pike sepse sipas tij vendosja e datave historike për ngjarje të tilla ka qenë gjithmonë një vendim politik edhe në shtete të tjera. Raporti amerikan prej 250 faqesh ofronte informacione të ndryshme, ndër të tjera edhe për kushtet e burgjeve, proceseve gjyqësore etj. Kurse raporti gjerman sipas tij prekte shumë çështje të mprehta, ndër to edhe aspekte sociale siç ishte mungesa e aksesit ndaj shërbimit shëndetësor për 80 % të shqiptarëve.

Studiuesi Igor Duda, përfaqësues i një qendre kërkimore për studime kulturore dhe historike mbi socializmin solli përvojën kroate, përmes projektit “Njeriu i Ri” socialist. Studimi i tij ishte shtrirë në disa fusha si histori, etnografi, antropologji, muzikologji etj, dhe i referohej një periudhe 20 vjeçare studimore. Përmes prezantimit të Igor Dudas pjesëmarrësit mundën të shihnin sa hapa përpara ka bërë Kroacia në mbështetjen që i jep studimeve mbi socializmin gjatë periudhës së Titos, krahasuar me Shqipërinë ku studimet shumë pak financohen dhe mbështeten.

Përfaqësues nga institucionet shqiptare studimore e pasuruan simpoziumin me përvojën e tyre. Agron Tufa, përfaqësues i ISKK, ngriti problemin e aksesit në arkivat e SHISH dhe të ish-Sigurimit, që kanë qenë dikur pjesë e Ministrisë së Brendshme, por tani i kanë kaluar Autoritetit. Sipas Tufës, Autoriteti nuk u kthente përgjigje kërkesave të tyre të shumta dhe i zvarriste.

Ndërsa drejtori i Arkivit Shtetëror, Ardit Bido, foli për deklasifikimin e mijëra dokumenteve së fundmi, ndër to edhe deklasifikimin e fondit personal të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Bido u shpreh se tani mund të konsultohen shumë dokumente me vlerë për të nxjerrë në pah historinë reale të asaj kohe. Por sipas tij, pengesë vazhdonte të ishte mentalititeti apo një lloj frike nga punonjësit e arkivës, të cilët nuk dinë të sillen kur u qëllon t’u bjerin në duar informacione të rëndësishme, sepse druajnë se prekin ndonjë sekret shtetëror.

Ish drejtorja e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika solli shembuj konkretë nga përvoja e saj gjatë 37 viteve punë në arkiva. Ndër të tjera ajo u shpreh e indinjuar për largimin nga puna të mbi 50 punonjësve të arkivit në vitin 2015, duke e dëmtuar rëndë punën e institucionit.

Ndërsa historiani Marenglen Kasmi nga AIDSSH sqaroi në fjalën tij se përpunimi i kërkesave për konsultim të dosjeve ishte delikat dhe kërkonte më shumë kohë. AIDSSH sipas tij ishte i hapur për të ofruar materiale dhe dokumente, por procedurat zgjasin jo vetëm në Shqipëri, sepse kriteret e përpunimit të informacionit ishin përcaktuara në ligj. Madje Kasmi u shpreh se pika të ndryshme të ligjit të dosjeve mund të amendoheshin në të ardhmen.

Studiuesja dhe historiania Sonila Boçi prezantoi projektin shkencor të profilit të intelektualit dhe shkencëtarit në periudhën 1944-1954. Kurse antropologu Albert P.Nikolla u fokusua ted y studimet e tij, njëri mbi “Njeriun e Ri” shqiptar dhe tjetri mbi lëvizjen e ’68-ës në Shqipëri.

Përveç studiuesve të fushës në sallë ishin të pranishëm shumë ish-të përndjekur politikë, të cilët i përballën historianët me fakte konkrete nga përvoja e tyre në burgje apo vende internimi dhe kërkuan “zgjidhje” historike. Aktivitetin e ndoqën edhe përfaqësues të trupit diplomatik, ambasadori polak, ambasadori austriak dhe përfaqësues nga ambasada kroate në Tiranë si dhe gazetarë.

Please follow and like us: