Ndue Ukaj: Liria e Kosovës, e lidhur organikisht me perëndimin
Shqiptarët, ende s’i ka lëshuar kllapia komuniste, prandaj gjykimet dhe vlerësimet e tyre për vlerat e demokracisë perëndimore i kanë utopike dhe histerike. Sepse, kjo mendësi është ushqyer gjatë dhe me mjeshtëri nga krejt instrumentet ideologjike të komunizmit.
Shumë sosh, në politikë dhe media, duke shfrytëzuar në mënyrë idiote disa vargje poetiket të Gjergj Fishtës, tërbohen kundër perëndimet, sa herë e shohin se anija e tyre ndodhet në turbulenca.
Duke kritikuar këtë mendësi, njëherë pata shkruar: para se ta përdorni Fishtën për ta sharë Europën, lexojeni veprën e tij në plotëni, për ta parë ç’dashuni të madhe ushqen ai për Europën.
Para njëzet vitesh, Kosova u çlirua nga regjimi i egër e vrasës i Serbisë dhe kjo ishte një nga mrekullitë më të mëdha në historinë shqiptare. Pa perëndimin kjo nuk do të ndodhte.
Por, pas njëzet vjetësh, shqiptarët, besimin te perëndimi e kanë të vogël. Dhe kjo është pasojë e elitës së papërgjegjshme,
Kjo erë e keqe që po vërtitet ndër ne, shumë lehtë mund të shndërrohet në furtunë dhe pasojat nga kjo mund të jenë fatale.
Temat ditore, taksa, dialogu dhe një marrëveshje politike mes Kosovës e Serbisë, një ditë do të marrin një epilog, jo pse duam ne, por pse na detyrojnë tjerët. E, duke e ditur se ç’tokë e pëlleshme për anomali e primitivizma është rajoni ynë, duhet të themi me plot gojën: mirë se na detyrojnë.
Por, një gjë dijeni: ne mund të paguajmë shtrenjtë këtë gjuhë të pështirë, idiote e neveritëse kundër figurave kryesore të BE-së, vendeve specifike, ashtu sikurse kemi filluar ta paguajmë mosdëgjesën ndaj SHBA-ve.
Ne harrojmë, sepse kemi kujtesë të shkurtër.
Ne harrojmë se të gjithë- i madh dhe i vogël- para pak vitesh, përgjëroheshim para këmbëve të tyre, kurse sot, për marrëzitë dhe pazotësinë tonë për të bërë shtet normal e shoqëri humane, ua hedhim fajet atyre.
Askush nuk na ka faj pse ne nuk jemi të zotët të zgjidhim asnjë mosmarrëveshje të brendshme politike, pa ndihmën e huaj.
Askush nuk na ka faj pse kompetenca jonë profesionale, është e shkretë.
Askush nuk na ka faj pse ekonomia jonë është e shkretë.
Askush nuk na ka faj pse shumica e të rinjve, mjekëve, profesionistëve
Askush nuk na ka faj pse arsimi ynë është i mjerë.
Askush nuk ka faj pse jemi më të varfërit në Europë.
Retorika e ashpër e kundër perëndimit, tregon vërtet ç’kamelonë e hipokritë qe jemi: tregon se, për hesape të brendshme, jemi të gatshëm timonin ta drejtojmë diku tjetër.
Me këtë logjikë të sharjeve, ne krejt çka mund të bëjmë është, ta shndërrojmë Kosovën në një ishull të izoluar, alla hoxhian, ku ‘edhe bari do të hahet, por parimet nuk do të thyhen’.
Unë jam fort i bindur se, Kosova mund të ekzistojë pa secilin president, kryeministër dhe pa shumë të tjerë që kukurisin, por liria dhe ekzistenca politike e saj është e lidhur organikisht me perëndimin, Amerikën, Austrinë, BE-në dhe vendet tjera, pa të cilat e ka të vështirë të ekzistojë.
Për fund, dua të them se, asnjë komb, shtet, nuk është rrezikuar më shumë sesa kur tkurret njeriu, dinjiteti i tij.