Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: A ka më prasë të tjerë si ky Lefteri?

 

A ka më prasë të tjerë si ky Lefteri, që do na bëjnë opozitën në parlament?! Eshtë një pyetje sa për të qeshur aq edhe për të qarë, pasi të kujton ato vendet e punës që ne vdesim t’i blejmë lekë… Na 5 mijë euro për t’u futur si pastruese kur rroga vjetore nuk është as 2 mijë. Dhe këtë rrogën mund edhe të mos e marrësh fare se ta ha ndonjë bordero nënpunësi, bankomati i bankës a postieri rrugës. Mirëpo ajo kultura e njeriut gjoja i zoti, se paguan, e gjen, i rregullon fëmijët, gruan a nusen e djalit në kurbet etj., na bën gagarela kafenesh duke rrahur gjoksin. Edhe ky preshi që po flet për demokraci… kujton se është lider. Dhe se i duhet të vdesi deputet. Nuk po lë studio pa dalë dhe se nga ka mësuar një fjalë frymë opozitare dhe vap e pështy kamerat me emrin e Lulzim Bashës. Eshtë pjesa më batak e shoqërisë. Duhet porositur të gjitha partitë, pa përjashtim, të gjitha… aq më tepër që me dëshirën a vullnetin tonë për demokraci të shfrenuar kemi jo pak, por plot 136 syresh. Mos na rëntë syri keq… Të gjithave sa majtas sa djathtas, të qendrës apo të stratosferës ku jeni, përjashto komunistët se ata janë të tejkualifikuar për të të rrjepur të gjallë. Mbani ca arka me domate tek hyrja kryesore dhe sapo të shikoni prasë si puna e këtij Lefterit i përzini me domate. Boll i duartrokitët se për kokë do i keni shumë shpejt. Se ta dish ti socialist, ai që nuk i thuhet emri ka po të njëjtën erë si ta bësh djathtas si ta bësh majtas. Erë që të qelb..
Por le t’i kthemi gangrenës. Sigurisht janë ato produkte mes allishverishet me listat emërore të Bashës a qokat me Edi Ramën. Atyre listave që Dritëro Agolli i përmblodhi me një emër shkërdhatokraci. Një model tashmë kryekëput bajat dhe i njohur në demokracinë tonë. Sot demokrat nopran, nesër socialist model. Hiqeni nga mendja. Në fakt janë ca matrapazë të përkryer të ngjyrave me diploma a doktoratura plagjiturë moda lakonike më e fundit e demokracisë sonë të ftohur nga të dyja anët. Janë një tufë prasësh që kanë paguar me për gjithçka për tu dukur deputet. Se të flasësh për frymë është diçka që vjen nga misioni, diçka e shenjtë dhe me histori martirësh. Janë male me shpirtra që të shtypin supet, e ky soj nuk ka njohur kurrë elozhet elektorale të sojit tënde me miell, para e drogë. Por shuarjen nga pak si flaka e qiririt. Por nuk ia vlen të ndyesh emrat e shenjtë me ty. A me ata si ty që flasin në emër të popullit për përgjegjësi civile a qytetare etj. Jeni ca morra gjirizi që nuk e di përse kaq me shumicë i kanë rënë për pjesë kësaj Shqipërisë sonë. Frymë thotë, dhe një herë demokrat një herë socialist, një herë rilindas, një herë komunist dhe sot iu mbush mendja se është lider kuvendi. U lëngëzohet duartrokitjeve të Taulant Ballës me shokë. Frymë janë ata që zbrazin qumështin aga, ata që të zbrazin arkën me mollë tek këmbët, ata që shtrihen përtokë tek pragu i derës për të mos iu prishur shtëpia. Frymë janë ata që kanë marrë malet, kurbetin, ai gjak i ri që ushqen Europën tënde të lodhur dhe sterile nga sojit jot. Presh!

Please follow and like us: