Kleves Bitro: Koha për të larguar Ramën dhe shpërndarë Kuvendin e krimit
Ka shumë kohë që Rama po përjeton efektin domino të rrokullisjes së qeverisjes të tepsisë dhe kazanëve. Kryeministri Rama është i detyruar që të shesë onturazhin e tij nëpër zyra dhe Parlament dhe më pas bashkëpunëtorët e keqpërdorur në terren e të njohur tashmë si “të fortët” që ndihmuan PS-në të merrte pushtetin.
Rama po fiton edhe pak kohë, por kurrsesi nuk mund të ndalojë rrokullisjen e pushtetit të pamerituar që u ka imponuar qytetarëve të vendit të tij. Nën presion të fortë nga klanet brenda PS-së për të rivendosur balancat mes interesave shumë të mëdha elektorale dhe ekonomike, por edhe për shkak të presionit të ndërkombëtarëve, Rama po përpiqet të bëjë akrobaci politike për mbijetesë edhe për pak kohë.
Në të vërtetë Kryeministri e ka humbur lojën. Ai jo vetëm që po shet bashkëpunëtorët dhe miqtë, por është shumë i dobët përballë kontribuesve financiarë dhe të mënyrave të tjera në fushatat e tij elektorale. Po të shohësh se si oligarkët financiarë dhe mediatikë e telendisin me mesazhe dhe me të shara nga nëna gjithë grupin parlamentar të PS-së përfshirë këtu edhe Erion Braçen, imagjinohet lehtë se çfarë heqin dhe do heqin çdo ditë këtej e tutje deputetët dhe udhëheqësit e PS-së të shantazhuar nga ata që u kanë paguar kostot e fitoreve elektorale. Por kjo është punë e tyre dhe një fund i merituar për një zgjedhje të gabuar që bënë që në fillim, të yshtur nga etja për pushtet dhe para. Është koha të paguajnë për katandisjen e vendit në një republikë të drogës. Ajo që ka mbetur tashmë në ditën e nesërme, në 11 maj është kërkesa me forcë për rrëzimin e Ramës, por edhe shpërndarjen e Parlamentit të krimit.
Ky nocion, Parlamenti pra, nuk ka më kuptim në këtë situatë kaq dramatike dhe skandaloze ku Kryeministri nuk mban dot më qeverisjen e vendit. Ai është dorëzuar dhe vetëm zgjat kohën e gremisjes. Opozita është alternativa dhe ajo duhet që të japë goditjen përfundimtare të një Kryeministri të që mbahet me zor pas litarëve të ringut duke pritur grushtin që do e rrëzojë e do ta shtrijë në tokë. Kush nuk mund të shohë atë që po ndodh sot do të pendohet nesër nëse nuk merren masa drastike dhe të menjëhershme nga ana e opozitës.
Ndaj është koha për të kërkuar shpërbërjen e këtij Kuvendi dhe prishjen përfundimtare të lidhjeve të krimit me politikën dhe anasjelltas. Dekadenca e tmerrshme e vlerave njerëzore që sot shtrihet mbi mazhorancën parlamentare është vetëm pasojë e pashmangshme e atij fillimi të instalimit të neomarksizmit nën petkun dhe mbrojtjen e krimit të organizuar me bazë të fortë ideologjike të majtë.
Edi Rama ka degraduar në thelb demokracinë për të shtruar në këtë mënyrë rrugën e zhvillimit dhe rilindjes së autokracisë dhe diktaturës. Për këtë Partia Demokratike bëri me guxim aktin e lënies së mandateve, duke braktisur pa pendesë kufizimet e foltoreve të Kuvendit që gjithsesi komandoheshin nga “votat e shumicës”.
Asnjë fjalim, sado i mirë, intelektual, i zgjedhur apo i vlefshëm nuk do të kishte efekt nëse mbahej vetëm në sallën e Kuvendit apo në sallat e konferencave për shtyp dhe nuk shkonte ke qytetari dhe masat e gjera te shtreses se ulet e te mesme. Edhe media që është një mekanizëm që përcjell tek qytetarët idetë dhe fjalët e politikës është në shërbim të interesave të caktuara dhe për këtë nuk mund të pretendohet që të mos keqinterpretojë apo abuzojë me fjalën e opozitës duke e nxjerrë atë nga konteksti apo duke e përmbysur tërësisht kuptimin e fjalëve të saj. Ndaj ishte dhe është i domosdoshëm aktivizimi i njerëzve me dhunti komunikimi që të veprojnë në terren.
Rezistenca e ditës së nesërme ka një rëndësi të madhe dhe moskuptimi I kësaj do të jetë me pasoja elektorale për opozitën, e cila duhet të ndërgjegjësohet se do të humbë shansin e përmbysjes së qeverisë Rama nëse nuk vepron ashtu sic duan qytetarët. Partia Demokratike ka mission që ,e me këmbëngulje dhe vullnet të hekurt të kthejë masën e qytetarëve kundër pinjollëve të pispillosur të ish-bllokmenëve. Shanset janë të mëdha për opozitën në një kohë të tillë kur qeveria vetëm me anë të mashtrimit dhe shfaqjet mediatike po përpiqet të mbajë pushtetin, pasi ka dështuar rëndë në të gjitha premtimet e saj bazë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve që i besuan një mandat të dytë qeverisës.
Mashtrime për punësimin masiv të njerëzve, mashtrime dhe skandale të pafundme me rendin dhe sigurinë dhe dështime të bujshme për zhdukjen e varfërisë dhe padrejtësive që gjoja paskemi trashëguar në këtë vend nga qeverisja e demokratëve. Sot që flasim janë shtuar listat e mjerimit në dyqane anembanë vendit dhe qeveria socialiste të mos harrojmë se aplikoi taksa të reja e shumë të rënda mbi kurrizin e familjeve shqiptare duke filluar që nga rritja me 10% të cmimit të energjisë elektrike, rritjen e cmimit të bukës apo taksa të reja mbi banesat dhe mallrat e konsumit bazë.
Aktualisht në një cinizëm të egër dhe nën parrullën e “shumicës parlamentare” parlamenti ndërmorri veprime shkatërruese për balancën e shtyllave të demokracisë funksionale duke i vënë kazmën ngrehinës së sistemit demokratik. Vendosja e parimit numerik në Parlament përballë logjikës demokratike ka shkatërruar plotësisht besimin se Shqipëria është në rrugën e duhur të demokracisë funksionale.
Edi Rama është përgjegjësi kryesor që në Parlament ka një dyndje të vërtetë të njerëzve me rekorde kriminale dhe përballë kësaj situate cdo njeri me mend e që do të merret me politikën do duhet të reflektojë thellë për situatën ku gjendemi dhe rrugëdaljet prej saj. Kjo është puna e opozitës dhe drejtuesve të saj në radhë të parë që pasi kanë sqaruar qytetarët me takime masive të drejtpërdrejta për rrezikun ku ndodhet vendi, I kërkojnë njerëzve të përmbysin Ramën…
Sistemi që ka ngritur Rama në Parlament me një tufë mediokrish dhe me një tufë kriminale nuk të con në vend tjetër vecse në logjikën ku cdo parlamentar i shumicës t’i thotë shokut që ka në krah se një ditë edhe ata do qeverisin vendin. Kur e bën këtë punë Rama pse jo ata? Ndaj në këtë situatë absurde ku rregullat demokratike janë shkelmuar qëllimisht nga “shumica e votave” opozita nesër duhet të shkundë pushtetin fallco të Ramës e të hidhet në akte konkrete në terren për të mos mbetur vetëm në linjën e përballjes ligjore me padrejtësitë e mazhorancës.