Albspirit

Media/News/Publishing

Britania paralajmëron ‘pasoja serioze’ pasi Regjimi Iranian kap çisternën e saj të naftës

Regjimi iranian ka kapur një cisternë nafte me flamur britanik në Ngushticën e Hormuzit të premten, dhe ka ndaluar për pak kohë një cisternë tjetër, duke shënuar kështu një përshkallëzim të ri të tensioneve mes Teheranit dhe Perëndimit.

Anijes me flamur britanik Stena Impero, e cila ka në bord 23 anëtarë ekuipazhi me kombësi indiane, ruse, letoneze dhe filipinase, “iu afruan anije të vogla të paidentifikuara dhe një helikopter gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit ndërkohë që anija ishte në ujëra ndërkombëtare,” tha në një deklaratë Stena Bulk, kompania e transportit detar që zotëron anijen. “E kemi aktualisht të pamundur ta kontaktojmë anijen e cila tani është nisur për në veri drejt Iranit.”

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian, në një deklaratë në faqen e tij të internetit, tha se anija është kapur për “mos-zbatim të ligjeve dhe rregullave detare ndërkombëtare” dhe po çohet në një port iranian të paidentifikuar, sipas Associated Press. Uebsitet që gjurmojnë rrugën e anijes tregojnë se ka marrë një kthesë të madhe në drejtim të Ishullit Qeshm të Iranit, në vend të destinacionit të planifikuar të saj në Arabinë Saudite.

“Jemi duke kërkuar me urgjencë informacion të mëtejshëm dhe duke e vlerësuar situatën pas raporteve të një incidenti në Gjirin Persik,” tha për Fox News një zëdhënës i qeverisë britanike.

Stena Bulk tha: “Nuk ka patur raportime për plagosje dhe siguria e tyre është shqetësimi parësor si për pronarët ashtu edhe për menaxherët.”

Afërsisht një orë më vonë, Mesdar, një cisternë me flamur të Liberisë, u kap gjithashtu nga IRGC dhe është parë në shërbimet e gjurmimit detar duke marrë një kthesë në drejtim të Iranit. Megjithatë, pronari i cisternës tha më vonë se në anije kishin hipur për pak kohë roja të armatosura para se të lejohej të ikte. Agjensia gjysmë-zyrtare e lajmeve Fars e regjimit iranian postoi në Twitter se Mesdar ishte larguar nga ujërat territoriale të Iranit.

“Këto ndalime janë të papranueshme,” tha Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt teksa përgatitej të hynte në një mbledhje urgjente qeverie mbrëmjen e së premtes. “Është thelbësore që të ruhet liria e lundrimit dhe që të gjitha anijet të mund të lëvizin të sigurta e të lira në rajon”.

“Nuk po marrim parasysh opsione ushtarake, po kërkojmë një mënyrë diplomatike për ta zgjidhur situatën, por jemi shumë të qartë që duhet të zgjidhet,” tha më vonë Hunt për Sky News, duke paralajmëruar që, nëse situata nuk zgjidhet shpejt “do të ketë pasoja serioze”.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se regjimi iranian sjell “vetëm telashe” dhe se “dëgjuam se një, dëgjuam se dy,” cisterna janë kapur.

“Irani po tregon fytyrën e vërtetë,” u tha presidenti reporterëve para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për ta kaluar fundjavën në klubin e tij të golfit  në Bedminster, N.J. “Irani është në telashe të mëdha tani. Ekonomia e tyre po shkatërrohet … Është shumë e thjeshtë ta përmirësojnë sjelljen ose është shumë e thjeshtë për ne që ta bëjmë edhe më keq”.

“Kjo është hera e dytë brenda pak më shumë se një jave që Mbretëria e Bashkuar ka qenë shënjestër e dhunës përshkallëzuese nga regjimi iranian,” tha Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Garrett Marquis. “SHBA do të vazhdojë të punojë me aleatët dhe partnerët tanë për të mbrojtur sigurinë dhe interesat tona kundër sjelljes malinje të Iranit.”

Këto ndalime erdhën dy javë pasi Marinat Mbretërore Britanike kapën një cisternë në pranë Gjibraltarit e cila, sipas autoriteteve, mbartte naftë për ta çuar në Siri në shkelje të sanksioneve të Bashkimit Europian. Regjimi iranian e pati kërcënuar Britaninë se do të përballej me “pasoja” për këtë kapje. Javën e shkuar, një luftanije britanike bllokoi tre anije iraniane që të mos kapnin një tjetër cisternë me flamur britanik.

CEO i Dhomës britanike të Transportit Detar Bob Sanguinetti tha në një deklaratë se kjo kapje ishte “në shkelje të rregullave ndërkombvëtare që mbrojnë anijet dhe ekuipazhet e tyre ndërsa merren me punët e tyre legjitime në ujërat ndërkombëtare” dhe i bëri thirrje qeverisë britanike që të bëjë “ç’të jetë e mundur” për të siguruar rikthimin e sigurtë dhe të shpejtë të ekuipazhit të anijes.

Richard Meade, kryeredaktori i gazetës së rëndësishme të industrisë së transportit detar, Lloyds List, tha se kapja e Stena Impero është “me shumë mundësi kërcënimi më i lartë i sigurisë që kemi parë në rajon që nga fundi i viteve ’80”.

Please follow and like us: