74 vende pune të lira, Lame apel deputetëve: Mos më ndërhyni për punësime
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame njoftoi se ka përfunduar faze e riorganizimit të Kadastrës. Lame njoftoi gjithashtu se janë hapur 74 vende të reja pune në rang vendi, ndërsa bëri edhe një apel të fortë, duke iu drejtuar të afërmve, deputetëve e ministrave, që të mos ndërhynë për punësime pasi kërkohen profesionistë.
“Ka mbaruar faza e parë të riorganizimit të Kadastrës. Kemi ulje drastike të 4 muajve të fundt të numrit të ankesave. Mbyllja e procesit të riorganizimit hap dyert për procesin e radhës. Sfidat e tjera janë hartografia e vendit dhe ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë. Me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma do të vijojë.
Iu bëj thirrje të gjithë djemve dhe vajzave të reja që të bëhen pjesë e garës për të punuar në Kadastër. Në total janë 74 vende të lira, ku pjesa më e madhe janë në Tiranë dhe Vlorë. I them pretendentëve në punë që të marrin pjesë në konkurrim dhe të kenë besim tek unë.
Gjithashtu iu bëj thirrje miqve, deputetëve, gruas sime dhe prindërve që të mos më ndërhyjnë për të futur në punë njerëz që nuk kanë lidhje me profesionin. Në kërkojmë inxhinierë, arkitektë dhe gjeodetë”, tha Lame, duke thënë se reforma në Kadastër do të vijojë, duke shkarkuar personat që nuk kanë arsimin përkatës.