Të ngrihemi në lartësinë e guximit epik të Azem Hajdarit
Sali Berisha
Azem, ti je gjallë!
Si sot 21 vjet më parë, Shqipëria përjetoi vrasjen e shekullit. Falanga të zyrtarëve kriminelë me uniformën e oficerëve të lartë të Policisë ekzekutuan para selisë së PD, sipas një skenari politik, tribunin e lirisë së shqiptarëve, prijësin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, themeluesin e pluralizmit politik dhe Partisë Demokratike, kryetarin e parë të saj, Azem Hajdari.
Azem, ti je gjallë!
Ata që – në një akt hakmarrjeje të verbër ndaj tij për sistemin e baballarëve xhelatë dhe mizorë që ai përmbysi – kryen më 12 shtator të vitit 1998, vrasjen e shekullit, kanë marrë dhe do të marrin gjithmonë për aktin e tyre makabër, ndëshkimin e historisë.
Kurse, kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Azem Hajdarit, legjendës së trimërisë dhe guximit mbinjerëzor të të riut shqiptar, bëhet çdo ditë, javë, muaj dhe vit që kalon, më e ndritur dhe më madhështore.
Sot, mirënjohja më e thellë që mund të shprehet dhe nderimi më i madh që mund t’i bëhet Azem Hajdarit, Liderit të Revolucionit Demokratik të Dhjetorit 1990 – i cili së bashku me shokët dhe shoqet e tij studentë u përball dhe përmbysi në dhjetor të vitit 1990, sistemin më monist të planetit – është të ngrihemi në lartësinë e guximit epik të tij dhe të hedhim në koshin e plehrave të historisë, narkoshtetin dhe regjimin e kakistokracisë të Edvin Mafisë dhe klikës së tij kriminale.
Azem, ti je gjallë!