Albspirit

Media/News/Publishing

Arsimi profesional/Instituti Kulinar ‘Neranxi’: Këtu jam rritur…

Genc Mlloja

“Arsimi profesional është cilësuar nga qeveria si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit”, ka thënë Partia Socialiste në pushtet.

Rasti për një konstatim të tillë u bë rikonstrukturimi i një shkolle profesionale në qytetin e Elbasanit këto ditë.

Orientimi drejt arsimit profesional është një iniciativë për t’u përshëndetur. Më në fund po kuptohet domosdoshmëria e krijimit të kushteve për të rinjtë që të kthejnë sytë nga profesionet e ndryshme jetike për një shoqëri.

Mirëpo kjo ndërmarrje nuk duhet të marrë karakter propogandistik e aq më pak të kufizohet në kuadër shtetëror sepse iniciativa private në këtë drejtim ka patur shumë kohë para ardhjes së socialistëve në pushtet, që kanë bërë emër duke i paraprirë shtetit.

Një shembull në mes të Tiranës: Në këtë vit shkollor Instituti Kulinar ‘Neranxi’ (IKN) hapi dyert për afro 1100 nxënës duke u krijuar kushte optimale për t’u bërë profesionistë në fusha të ndryshme të kulinarisë.

Presidenti i Kompanisë “Neranxi”, Nikollaq Neranxi e përqafoi sfidën mëse një dekadë më parë me entuziazëm e largpamësi duke shtuar në veprimtarinë e kompanisë komponentin arsimor- përgatitjen e armatës së ardhshme të kulinarisë.

Ndër folësit e shumtë të diplomuar në këtë shkollë, të pranishëm në ceremoninë inauguruese të këtij viti akademik e përbashkëta ishte: “Jam shef në… Kam biznesin tim në… Jam punonjës në rezortin turistik…”. E kjo në sajë të shkollimit te Instituti ‘Neranxi’!

Studentët e rinj dëgjonin, shikonin e ëndërronin për të ardhmen, shumë përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë të pranishëm në këtë veprimtari duartrokisnin zotimin e arkitektit të kësaj iniciative Z. Neranxi për ‘hapa përpara’! Disa prej tyre kane qenë edhe vite të mëparshme në të tilla festa të IKN-së e nuk kursejnë përgëzimet për çfarë ngjet në këtë institucion ku mësohet për punën e të cilëve e ka e tërë shoqëria në tavolinat e saj të shijes.

Presidenti i Kompanise ‘Neranxi’, tërë punonjësit e stafi, studentët e institutit dhe ekipi mësimdhënës kanë nevojë për mbështetje në punën e tyre të nderuar novatore nga shteti, shoqëria civile, media, klientet e të afërmit e shefave të ardhshëm.

Por veçanërisht ata kanë nevojë për atmosferë paqësore larg trazimeve politike të Shqipërisë, produkt i stazhionuar i klasës politike të këtij vendi ballkanik.

Po ashtu ata shqetësohen nga presionet sistematike të organeve qeveritare ndaj kompanisë e drejtuesit të saj se ‘nuk hedh vallen rilindase’ e për më tepër prania e shpeshte e falangave policore në ambjentet ku punohet, mësohet e argëtohet i shqetëson friskhëm nxënësit. Por edhe ata e kanë pranuar sfidën e janë bërë mburojë!

“Shkolla profesionale është sot një ofertë shumë e mirë për t’i garantuar kujtdo një profesion”, tha numri 2 i PS Taulant Balla në shkollën profesionale në Elbasan si zbulim të ideve të reja të programit arsimor rilindas.

Iniciativë për t’u duartrokitur kjo, por tejkalimi i politizimit të çdo gjëje, përfshi edhe arsimin profesional, shikimi me sy pozitiv, inkurajues e bashkëpunues i iniciativave private në këtë fushë me përvojë të vyer shumëvjeçare – do të ishin vlerë e shtuar.

Projekti ambicioz i Z. Neranxi i ka kaluar kufijtë e Shqipërise dhe IKN po ashtu. I takon kujtdo shqiptar, mbi te gjitha shtetit, të jetë jo vetëm simpatizant apo konsumator te ‘Neranxi’ Co., por edhe solidar në çdo hap përpara të saj që t’u thonë forcave regresive: Ndalni dorën!

Please follow and like us: