Geri Selenica: Sugjerim Qeverisë së re për një “SISTEM TË RI” (New Deal) për Kosovën
Në përgjithësi ne i shohim gjërat bardhë e zi. Në ekonomi ne dimë ose kapitalizëm, ose socializëm. Këto sisteme ka dekada që kanë vdekur dhe janë zëvendësuar me sisteme hibride, sipas kushteve ekonomike të çdo vendi. Thelbi i suksesit të sistemeve të sotme ekonomike është vendosja në krye të drejtimit real të vendit e të ekonomisë së TRURIT të një vendi – të “Meritokracisë Teknokratike”. Jo të partive politike, që në përgjithësi janë masa emocionale dhe iracionale.
Besoj që Qeveria e ardhshme e Kosovës midis LVV-së dhe LDK-së është aliazhi politik më i mirë i mundshëm për Kosovën, pasi plotësojnë njëra-tjetrën. Para disa ditësh në një takim i thashë zotit Kurti “nuk duam më “xhamadani vija-vija”, duam punë dhe rezultate”.
Me këtë rast po botoj disa sugjerime për strategjinë ekonomike për mëkëmbjen ekonomike të Kosovës, të cilat do t’ia paraqesim më në detaje Qeverisë së re.
Le të bëjmë një analizë të faktorëve kryesorë që ndikojnë në ekonominë e Kosovës.
1 – Shkaktari më i madh i varfërisë në botë është SISTEMI POLITIK (pjesë e Kapitalit Njerëzor), injoranca dhe korrupsioni. Pra, jo burimet natyrore, të cilat Kosova i ka me shumicë. Historia ekonomike botërore e vërteton këtë me këta shembuj:
– Amerika, Kanadaja, Australia në shekullin e 16-të ishin vende më të varfëra se Meksika e Amerika Latine. Por në ndryshim nga kolonizatorët spanjollë e portugezë, që preferonin grabitjen pa ndërtuar sisteme qeverisëse efikase, anglezët preferonin ndërtimin e sistemit. Pas kaq shekujsh diferenca në zhvillim është shumë e dukshme.
– Nëse sot Bolivia do ta rriste nivelin e saj të cilësisë institucionale në nivelin e Koresë së Jugut, PBB/frymë e saj do të ishte afërsisht 18’000 USD/frymë, dhe jo 2’700 UDS/frymë.
Pra, niveli i zhvillimit ekonomik i dedikohet në radhë të parë sistemit qeverisës.
Atëherë si zgjidhet ky problem? Cili sistem politik është i mirë për Kosovën?
Në përgjithësi ne i shohim gjërat bardhë e zi. Në ekonomi ne dimë ose kapitalizëm, ose socializëm. Këto sisteme ka dekada që kanë vdekur dhe janë zëvendësuar me sisteme hibride, sipas kushteve ekonomike të çdo vendi. Thelbi i suksesit të sistemeve të sotme ekonomike është vendosja në krye të drejtimit real të vendit e të ekonomisë së TRURIT të një vendi – të “Meritokracisë Teknokratike”. Jo të partive politike, që në përgjithësi janë masa emocionale dhe iracionale. Shqiptarët ende votojnë për liderët dhe jo për idetë. Prandaj, dhe jemi të pazhvilluar, se nuk kemi pjekuri qytetare dhe politike. Prandaj, dhe nuk bëjmë dot shtet. Ne nuk votojmë për ide, por për parti dhe partizanët e partive vetëm na genjejnë, vjedhin dhe shkatërrojnë vendin me padijen dhe imoralitetin e tyre, aq sa i kanë kthyer partitë politike në organizata të mirëfillta kriminale. Këtë e kam sqaruar në një artikull “Pse nuk bëhet ky vend” (http://www.panorama.com.al/pse-nuk-behet-ky-vend/).
Sistemet politike qepen si kostumet, sipas trupit. Sipas meje, sistemi perfekt për Kosovën do të ishte një version i një ekonomie të lirë të tregut, me një siguri të fortë ligjore dhe me një korporatizëm shtetëror të përshatur për kushtet e Kosovës në sektorët më strategjikë, sipas shembujve më të mirë nga dirizhizmi francez, nga Vendet Nordike, nga “New Deal” i F.D.Ruzevelt, nga Singapori, nga Partneriteti Social irlandez etj. Ideja e krijimit të një “Fondi Sovran të Kosovës” është shumë pozitive, se vetëm me këtë mënyrë mund të arrihet akumulimi i nevojshëm dhe efektiv i kapitalit për investime strategjike.
Por KUSH do ta menaxhojë këtë fond dhe KU duhen investuar këto fonde?
Nëse në krye të fondit do të vihen partizanët e partive qeverisëse, me gjithë dëshirën e mirë, jam i sigurt që do ta keqpërdorin, së paku nga padija. Prandaj, Qeveria e re, paralel me fondin duhet të krijojë një institucion jopartiak, që ndryshe nga partitë mendon vetëm për objektiva strategjike afatgjata me ekspertët më të mirë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Është krejt e pamundur që një partiak i brumosur me mëndësinë afatshkurtër të mbledhjes së votave me çdo çmim e një kryetar partie që e ka mendjen tek sondazhet e mbijetesa politike, të ketë qetësinë e sigurinë institucionale, aq më pak edukimin e të menduarit afatgjatë. Ky është sekreti i mirëmenaxhimit të shteteve – formimi i një insititucioni teknokratësh, që bën planifikime strategjike, që në parim çdo Qeveri i zbaton.
F.D.Ruzvelt krijoi një institucion të tillë – ‘Brain Trust’ (Banka e Trurit), francezët krijuan ‘Commissariat au Plan’ (Komisariati i Planifikimit), Singapori – ‘Bordin e Inteligjencës Ekonomike’. Bile edhe Shqipëria ka pasur ‘Komisionin e Planit të Shtetit’. Shteti pa planifikimin strategjik afatgjatë është një anarki totale dhe shkatërrues i burimeve të vendit. Ose shkurt ANTISHTET. Toeritë e ‘liberalizmit’ ekonomik, pa pasur një shtet ligjor të fortë dhe globalizmit kanë sjellë pasoja shkatërrimtare për vendet e vogla. Ka ardhur koha e proteksionizmit kombëtar alla-Trump – ‘KOSOVA FIRST’.
Ky moment që po kalon sot Kosova ngjan me SHBA-në në vitet ’30 dhe Francën pas L2B.
– F.D.Ruzvelt e nisi ndryshimin e madh mbas Krizës së Madhe me këtë fjali: “Nëpër gjithë vendin tonë burra dhe gra krejtësisht të harruar nga filozofia politike e Qeverisë, po shohin tek ne këtu për udhëheqje dhe për një mundësi më të drejtë në shpërndarjen e pasurisë sonë kombëtare. Unë i dedikohem një marrëveshjeje të re (New Deal) me popullin amerikan. Kjo është më tepër se një fushatë politike! Kjo është një thirrje nën armë (lufte)!” FDR luftoi monopolet. Ai i quante ato një forcë negative ekonomike, pasi ato prodhonin plehëra dhe paaftësi. FDR-ja formoi një ‘Brain Trust’ (Banka e Trurit), një grup këshilltarësh ekonomikë amerikanë dhe të huaj, që e ndihmuan me këshilla për ndërhyrjet ekonomike të Qeverisë. “Banka e Trurit” bëri të mundur hedhjen e bazave të rimëkëmbjes industriale amerikane me National Industrial Recovery Act (NIRA), që krijoi National Planning Board dhe National Recovery Administration (NRA). FDR-ja e quajti ‘Bankën e Trurit’ një vetëqeverisje industriale. “Banka e Trurit” bëri një revolucion bujqësor me formimin e Agricultural Adjustment Administration (AAA), e cila bënte shpërndarjen e kuotave dhe subvencioneve të prodhimit të grurit, misrit, pambukut, qumështit, duhanit. AAA-ja vendosi një ndërhyrje qeveritare afatgjatë dhe shumë të rëndësishme në planifikimin e të gjithë bujqësisë amerikane. Kjo politikë ende vazhdon në SHBA pavarësisht retorikës amerikane të tregtisë së lirë. Këtë politikë të ‘New Deal’ e kopjoi edhe BE-ja, që ende e vazhdon dhe sot. Kjo gjë duhet të realizohet dhe në Kosovë, përndryshe bujqësia jonë do të jetë gjithmonë e falimentuar.
FDR-ja rizgjoi shpresën amerikane dhe vetërespektin për dhjetëra milionë njerëz të dëshpëruar, ndërtoi sindikatat, rimëkëmbi infrastrukturën kombëtare dhe shpëtoi kapitalizmin nga vetvetja. FDR-ja ka thënë “sipërmarrja private në kohë si këto (krize) nuk mund të lihet pa u ndihmuar dhe pa një kontroll të arsyeshëm, pasi ajo është në gjendje të shkatërrojë jo vetëm vetveten, por edhe qytetërimin tonë”.
FDR-ja e mendonte qeverisjen e ekonomisë kombëtare në të njejtën mënyrë si menaxhohet një ndërmarrje private. Kjo qe një formë e nacionalizmit ekonomik ndërtuar rreth një konsensusi të planifikuar midis elitave në Qeveri, biznes e sindikata.
– “Dirizhizimi” quhet politika tradicionale intervencioniste e qeverive franceze në ekonomi, që ndiqet që pas Luftës II Botërore. Para luftës Franca kishte një model ekonomik kapitalist liberal “Laissez-Faire”, me shumë kompani të vogla, shpesh pronë familjare dhe shpesh pa dinamikën dhe efiçiencën e nevojshme, kur krahasoheshin me grupet e mëdha industriale gjermane e amerikane. Lufta II e shkatërroi ekonominë franceze, kështu që menjëherë pas luftës Qeveria ngriti ‘Commissariat au Plan’ për të ndërhyrë vetë qeveria në rimëkembjen e industrisë së madhe franceze. Qeveria franceze ndoqi politikën e mbajtjes së kuotave të minorances në industritë kryesore (golden shares) dhe shiti kuotat maxhoritare në burse, duke krijuar një kapitalizëm popullor. Kështu u formuan grupet më të mëdha industriale të mbështetura nga Qeveria. Qeveria franceze ende ruan kuota në ndërmarrjet e infrastrukturës, transportit, mbrojtjes nukleare dhe aerospaciale. Gjenia e Qeverisë franceze krijoi brilante industriale me moton: “në Francë ne nuk kemi naftë, por ne kemi ide”. Dirigisme francez arriti suksese ekonomike, duke përdorur ‘teknokracinë meritokratike’. “École Nationale d’Administration” dhe “École Polytechnique” qenë furnitoret kryesore të shtetit dhe industrisë me administratorë të nivelit më të lartë botëror. Kjo bëri që Franca të përjetonte një boom ekonomik 30-vjeçar (1945-1975) me një rritje vjetore ekonomike nga 4.5%. Kjo u pasua me një boom demografik. Pavarësisht spektrit politik francez, të gjitha qeveritë nga e djathta (dë Gol e Pompidu) në të majtë (si Miteran) nuk e ndryshuan politikën ekonomike dirigisme në emër të interesit kombëtar. Bile Miteran shkoi në ekstrem sa nacionalizoi disa industri strategjike e banka. Edhe sot qeveritë franceze ende mbështeten në themelet e dirigisme, por me instrumenta më të sofistikuara nën petkun “liberal” e “global”.
Orwell thotë që “korporatizmi është një rezultat i natyrshëm i ekonomisë kapitaliste të tregut të lirë”. Saul thotë se “pjesa më e madhe e shoqërive perëndimore janë shtete korporative, të drejtuara nga një elitë e vogël profesionistësh dhe grupesh interesi”.
Sugjerimi im është që Qeveria dhe gjithë klasa politike në Kosovë të ndergjegjësohen dhe të ndërtojnë me konsensus të plotë një institucion jopolitik, krejtësisht teknokratik për “Planifikime Strategjike Afatgjata”, i ngjashëm me institucionet e mësiperme. Në mbështetje të këtij institucioni duhen ngritur një sërë institutesh kërkimore-shkencore për degë të ndryshme të ekonomisë, bujqesisë, industrisë, etj. Shkencëtarët dhe teknokratët duhet të gjejnë në to sigurinë institucionale për punën e tyre, të cilat nuk ia garanton dot asnjë qeveri. Dhe kjo ka një shkak të thjeshtë: teknokratët nuk bëhen dot partizanë dhe partizanët gjithmonë kanë frikë nga dijet e teknokratëve, se nuk i kontrollojnë dot. Ky është konflikti themelor i ndërtimit dhe drejtimit të shtetit në Shqipëri e Kosovë. “Politikanët mendojnë si të vijnë në pushtet, ndërsa shtetarët e teknokratët mendojnë për shtet dhe për brezat e ardhshëm”. Pa këto institucione themeltare asnjë shtet serioz nuk funksionon dot siç duhet.
Zhvillimi ekonomik faktikisht është një punë shumë më e thellë dhe e vështirë, që faktikisht forcat politike që kanë qenë në pushtet në Kosovë nuk kanë pasur kapacitete ta bënin, po për faktin e thjeshtë se këto parti, jodemokratike në organizim e funksionim, janë plot me ‘partizanë’ që luftojnë për pushtet, por jo për shtet. Partizanët me në krye “komandantët” thjesht kanë ndërruar portat këto dy dekada, por pa rezultate pozitive në zhvillimin e shtetit dhe të ekonomisë. Kjo, sepse NUK DINË. Dhe kur vijnë në pushtet sillen si pushtues plaçkitës kalimtarë dhe jo si shtetarë ndërtues të së ardhmes. Faktet kanë treguar, se pavarësisht ndërrimit të qeverive në Kosovë është ndjekur e njëjta traditë e ‘drejtimit’ të shtetit dhe nuk ka asnjë ndryshim sistemi. Çdo tender, koncesion a marrëveshje është një delegim i turpshëm i detyrave të shtetit te “privati” dhe shkatërrim i ekonomisë dhe sovranitetit kombëtar. Është një tallje publike me inteligjencën tonë dhe varfërim i mëtejshëm i popullit. Është një mungesë totale vizioni ekonomik afatgjatë. Është një vrasje e shpresës për fëmijët tanë, që të jetojnë në një vend normal. Shqipëria dhe Kosova kanë tamam profilin e një shteti afrikan e jo më të denjë për në Evropë.
Kosova nuk ka qenë nën një diktator, por nën disa diktatorë “komandantë” partish të korruptuara në palcë, që kanë ndërruar portat sipas rezultatit zgjedhor “demokratik”, por sistemi ka qenë po ai. Teknokratët kanë ardhur duke u pakësuar dhe partizanët kanë ardhur duke u shtuar. Është më kollaj dhe më me leverdi të bëhesh partizan, sesa teknokrat dhe kjo është një dekadencë morale e popullit shqiptar, që po merr përmasa vetëshkatërruese. Po rritet një brez i ri injorant, parazit, mashtrues dhe plaçkitës, sipas vetë modelit të partive politike.
Fatkeqësisht, politikanët shqiptarë en-bloc janë po aq teveqelë edhe pas shumë dekadash, kur ende mendojnë, që shteti është politikë, madje media, art, sport, telenovela, intriga, manipulim, koalicione, kostume Brioni su misura, takime me politikanë e biznesmenë të huaj, që i nënçmojnë këta tanët në ekstrem. Dhe askush nuk e kupton që shteti është së pari një sipërmarrje ekonomike dhe sociale, që kërkon shumë dijeni të kualifikuara dhe shumë orë pune të sinqertë cilësore, dhe jo ‘partizanë’, apo korruptim mediash të korruptuara, për të manipuluar opinionin e lodhur publik, për të shtyrë ditët e tyre, kur ky vend po degradon dhe po shpopullohet nga dita në ditë, për faj të keqdrejtimit politik.
Populli i Kosovës votoi për NDRYSHIM SISTEMI, jo për NDRYSHIM QEVERIE
Le të shpresojmë që Qeveria e re do ta ndryshojë kulturën e injorancës, tribalizmit dhe banditizmit politik, që ka lulëzuar në Kosovë njësoj si në Shqipëri këto dekada. Ne i sugjerojmë Qeverisë së re zbatimin e një “SISTEMI TË RI” (NEW DEAL) për Kosovën. Nëse LVV-ja dhe LDK-ja do të dështojnë në ndërtimin e një sistemi të ri politik, të një shteti ligjor dhe funksional, do ta kthenin Kosovën në një shtet tribal dhe anarki totale, si Afganistani. Do ta shkatërronin de-facto pavarësinë e Kosovës së sfilitur.
2 – Njësia themelore për Ndryshimin e Sistemit është KAPITALI NJERËZOR. TRURI I KOMBIT duhet të ketë mundësi të kontribuojë ndershmërisht për vendin mbi bazën e meritës profesionale e jo partiake dhe me një siguri të lartë juridiko-ekonomike.
Kosova ka një problem themelor. Me gjithë pasuritë e jashtëzakonshme natyrore, është një vend relativisht i varfër nga ana e BURIMEVE NJERËZORE (që banojnë në Kosovë), kjo si pasojë e keqmenaxhimit historik shekullor dhe në veçanti nga dy dekadat e fundit. Me një popullatë 2 milionë banorë, Kosova nuk përmbush dot minimumin e nevojshëm statistikor për një ekonomi të qëndrueshme. Sipas meje, ky minimum i nevojshëm ekonomik duhet të jetë nga 20 deri në 50 milionë banorë, në vartësi të kushteve historike dhe afërsisë nga qendrat e nxehta ekonomike. Por nuk duhet të dëshpërohemi se edhe vendet fqinje me Kosovën nuk e plotësojnë këtë parakusht zhvillimi. Të gjitha ekonomitë fqinje vuajnë nga e njëjta sëmundje.
Sugjeroj që prioritet numër një i qeverisë së ardhme duhet të jetë KAPITALI NJERËZOR, EDUKIMI, sidomos ai profesional. Nuk ka kuptim të studiohet diplomaci e shkenca politike pa pasur dijeni në bujqësi e inxhinieri. Prioritet strategjik kombëtar është rritja e lindshmërisë dhe krijimi i kushteve për kthimin e mërgimtarëve në Kosovë. Për këtë duhet bërë një punë serioze me diasporën. Humbja më e madhe kombëtare është humbja e popullsisë dhe injoranca.
Për të frenuar këtë humbje të popullsisë, qeveria e re duhet të studiojë mirë financat nëse do të mundet t’ia ofrojë në një kohë sa më të afërt popullit një Minimum Bazik të Ardhurash (Minimum Basic Income) e politika me qëllim punësimin e mbrojtjen sociale. Kjo nuk është propagandë socialiste, por nevojë mbijetese e popullit të Kosovës.
3 – Çdo ekonomi nuk zhvillohet dot pa AKUMULIM të KAPITALIT FINANCIAR.
Ku gjenden kapitalet e duhura? Kapitalet gjenden në Kosovë, Shqipëri e diasporë. Mos ëndërroni për kapitale të huaja, pasi Kosova nuk ofron sigurinë e mjaftueshme ligjore dhe financiare për të thithur disa miliardë euro. Disa miliarda euro remitanca, që vijnë çdo vit nga diaspora si pasojë e punës së lodhshme dhe ‘jo të lodhshme’, janë një kapital perfekt dhe objektiv kryesor. Poseduesit e këtyre kapitaleve, qeveria duhet t’i kthejë në investitorë institucionalë. Qeveria duhet t’i mbledhë këto para në mënyrë të përgjegjshme dhe t’i drejtojë në investime me impakt social, në ekonomi prodhuese e jo në pube, bingo, bare, kafene e motele. Të gjitha keto investime popullore të bëra deri tani, janë kryesisht investime të dështuara. Qeveria duhet t’i drejtojë urgjent me inteligjencë këto kapitale në ekonominë e Kosovës duke e injektuar këtë kapital në Fondin Sovran ose në Korporatat e Mëdha Kosovare, pra duke krijuar Kapitalin Popullor. Efekti kolateral i këtij veprimi është krijimi i një kulture të re kapitaliste në popull, ajo e investimit popullor, e aksionerit popullor dhe kapitalit popullor. Të jeni të sigurt që kur populli të ketë në duart e veta aksione të korporatave të mëdha kosovare dhe të marrë dividente, atëhere do të rritet besimi tek ekonomia e tregut dhe do të nisë konsolidimi ekonomik i Kosovës.
– SI do të mblidhen kapitalet për t’i bërë korporatat e mëdha Kosovare?
Instrumenti universal për mbledhjen e kapitaleve popullore është Bursa. Duhet vënë në punë urgjent BURSA SHQIPTARE (si bursë rajonale). Kjo duhet të jetë një detyrë imediate e qeverisë së ardhshme, pasi deri më tani politika e ka vonuar thjesht nga padia. Por pa bursë nuk ka kapital të madh. Bursa është parlamenti i ekonomisë dhe zemra e kapitalizmit. Vetëm nëpërmjet Bursës do të arrihet të bëhet populli aksioner e bashkëpronar i ekonomisë kombëtare. Bursa do të bëjë një transformim gjigand të psikologjisë popullore. Populli do të jetë shumë më i interesuar për kapitalin dhe ekonominë. Në atë kohë politika do të detyrohet të prodhojë biznes, që të kuotohet në bursë, e jo në ekrane televizionesh. Atëhere bursa e kapitaleve do të kthehej dhe në një bursë politike. Vetëm me ndërtimin e Bursës mund të themi që kemi ndërtuar sistemin e komandës e kontrollit të kapitalizmit shqiptar, i kemi dhënë sipërmarrjes kosovare platformën për të shpalosur energjitë e saj dhe i kemi dhënë lirinë reale të tregut.
Bursa do të arrijë të legalizojë maksimalisht ekonominë ilegale dhe informale.
‘Money talks, bullshit walks!’ – “Paraja flet, llafet i merr era!”
4 – Krahas Fondit Sovran në Kosovë duhen formuar Korporatat e Mëdha Kosovare. Këtë nuk e bëjnë dot sipërmarrësit e ndershëm kosovarë, pasi iu mungojnë akumulimi i nevojshëm i kapitalit, know-how dhe aksesi i lirë në treg. Këtë mund ta nisin vetëm shteti dhe “Institucionet Teknokratike” të Kosovës, me një strategji afatgjate ndihme për sipermarrjen me anën e një mekanizmi të injektimit të kapitaleve. Në thelb duhet kaluar nja 30 vjet në sistemin korporativ, që të arrihet një kapitalizëm i pjekur dhe i përgjegjshëm. Për ne kapitalizmi është një shkollë ekonomie, që duhet ta kalojmë në të gjitha lëndët, vuajtjet e klasët e saj. Sado paradoksale të duket, por mësuesi duhet të jenë shteti korporatist dhe teknokratët!
– Përse duhen Korporatat e Mëdha Kosovare?
Nga eksperienca ime 35-vjeçare si ekonomist dhe si sipërmarrës kam arritur në një konkluzion, se sfidat e sotme globale, ekonomia kosovare mund dhe duhet t’i përballojë vetëm me sipërmarrje të fuqishme me kapitale nga disa dhjetëra milionë euro, deri në disa qindra milionë euro, me know-how të lartë dhe me investime në sektorët më konkurues të vendit, duke përfituar nga avantazhet konkuruese të Kosovës.
Ky është një revolucion ekonomik, që duhet bërë tani.
– KUSH do t’i menaxhojë Korporatat e Mëdha Kosovare?
Kush do të menaxhojë me qindra milionë euro kapitale? Ky është problem shumë i rëndësishëm, por shumë i zgjidhshëm. Nëse flasim me ndershmëri, njohuritë tona në menaxhimin e kapitaleve te mëdha dhe të teknologjive të larta janë të kufizuara. Për momentin, më mirë menaxhimi u delegohet personave ose dhe firmave të kualifikuara në nivel botëror, derisa ‘teknokracia meritokratike’ e Kosovës të krijojë eksperiencën e nevojshme. Për një ekip futbolli marrim trajner të huaj, pse jo për një sipërmarrje?!
– Ç’AKSIONERË duhet të kenë Korporatat e Mëdha Kosovare?
Dua të revokoj nga historia ekonomike e suksesshme kompanitë shtetërore franceze apo kompanitë e Singaporit, ku shteti ka kuota minorance. Unë mendoj se absolutisht e njëjta formulë duhet zbatuar dhe në Kosovë. Shteti (1) dhe “Institucionet Teknokratike” (2) të Kosovës duhet të mbajnë kuota minorance në këto kompani, së pari për motive strategjike dhe së dyti për t’iu dhënë garanci Investitorëve Popullorë (3) në bursë për seriozitetin e sipërmarrjes. Kjo mund të mos duket shumë trendi, por kjo është rruga më optimale për të arritur këtë. Jam kundër teoricienëve që thonë privatizim, privatizim, privatizim! I zoti e di ku i pikon çatia! Këtu duhet optimizim dhe besim!
– NË Ç’FUSHA dhe SI do të investojnë Korporatat e Mëdha Kosovare?
Suksesi real i ‘Sistemit të Ri’ varet nga zbatimi i tij nga Korporatat e Mëdha Kosovare duke investuar në sektorët më strategjikë dhe me rendiment sa më të lartë investimi.
– Si bëhet kjo? Kush do t’i bëjë këto studime strategjike ?
Siç sqarova më sipër, të gjitha sistemet korporative kanë një institucion, që është ‘Truri i Ekonomisë’, që po e quaj ‘Bordi i Inteligjencës Ekonomike – BIE’, që bën programime ekonomike afatgjata e strategjike, në koordinim me firma këshillimi të nivelit më të lartë botëror, si McKinsey, etj. Pa një formatim të saktë dhe inteligjent të këtij instrumenti, ‘Sistemi i Ri’ nuk mund të funksionojë. Ky bord duhet të jetë qendra e nivelit më të lartë të programimit, spiunazhit dhe inteligjencës ekonomike kombëtare.
‘BIE’ duhet të përcaktojë se KU duhet investuar, duke qenë direkt një pjesëmarrës në ‘korporatat e mëdha kosovare’, sipas modelit të ‘IRI’ në Italinë e viteve ‘30.
Unë do të sugjeroja këto prioritete zhvillimesh ekonomike për Kosovën:
A – Sektori ekonomik prioritar duhet të jetë BUJQËSIA. Jo për nga vlera monetare, por për qëllim punësimi dhe ripopullim të fshatrave, natyrisht sipas teknologjive më të fundit bujqësore e blegtorale. Krahas kulturave tradicionale, do të sugjeroja kultivimin e duhanit, pasi Shqipëria deri në vitin 1990 e ka pasur kulturën kryesore bujqësore (28 mijë tonë në vit), bile Maqedonia e ka ende, e cila rrit shumë punësimin. Një impakt dramatik në ekonominë e Kosovës do të kishte nëse lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjeksore, siç e kanë bërë Maqedonia, Izraeli, Greqia, etj. Rritja e prodhimit bujqësor duhet të çojë natyrshëm në rritjen e industrisë agroushqimore.
B – ENERGJIA ose më saktë depozitat prej mbi 30 miliardë tonë linjit (thëngjill) janë potenciali më i madh ekonomik dhe strategjik i Kosovës (do 120 vjet të shfrytëzohet) dhe rajonit. Ato përbëjnë nga rezervat më të mëdha energjetike në Evropë. Fatkeqësisht teknologjia ekzistuese me djegie nuk parapëlqehet për arsye të ndotjes, pasi të gjitha trendet janë për përdorimin e energjisë së rinovueshme, megjithëse Gjermania dhe Anglia u zhvilluan nga qymyri. Pse jo Kosova?! Por jam i sigurt që teknologjia e gjelbër ende në zhvillim e Gazifikimit të Qymyrit Nëntokë (Underground Coal Gasification – UCG) që ecën me ritme të shpejta në Kinë e Australi, do ta kthejë shpejt Kosovën në një Katar të dytë. Kosova ka rezerva linjiti, që mund të gjenerojnë mbi 30 miliardë në vit gaz sintetik, që është dy herë më shumë se kapaciteti transportues i TAP ose sa gjysma e konsumit vjetor të Italisë. Kjo depozitë gjigande energjie nuk ka rëndësi vetëm për Kosovën, por në radhë të parë ka rëndësi strategjike për sigurinë energjetike të BE-së, duke i ofruar një burim të ri furnizimi të qëndrueshëm afatgjatë të gazit natyror dhe një pavarësi nga gazi rus. Po të vihet në punë ky potencial energjetik, gjenerohet rrymë elektrike me fuqi 10.560 MW ose sasi 74 miliardë kWh në vit, rreth 2 milionë tonë katran, 380.000 tonë amoniak, 380.000 tonë fenol i papërpunuar; rreth 400.000 tonë deri 2 milionë tonë squfur. Burime të tilla çojnë automatikisht në zhvillimin e industrisë petrokimike.
Qeveria e re duhet ta bëjë realitet INTEGRIMIN ENERGJITIK me Shqipërinë duke ndërmarrë dy hapa konkretë. Të shkohet në një menaxhim të njësuar të KEK-ut dhe KESH-it me një qëndër të vetme dispewerie dhe në pavarësimin faktik nga Beogradi. Për të përmbushur nevojat energjitike të Kosovës, meqënëse qeveritë shqiptare në 30 vjet e kanë neglizhuar veprën më të madhe energjitike në Shqipëri, Hidrocentralin e Skavicës me digë 485m, për të cilën kanë studiuar nga viti 1949 deri në 1991 mbi 40 mijë inxhinierë e teknikë shqiptarë e të huaj. Kjo vepër energjetike është pavarësia energjetike dhe hidrike e Kosovës dhe Shqipërisë me 2 miliardë MWh/vit (=100 milonë euro në vit) dhe rezervë ujore prej 7 miliardësh m3, me një liqen 100km të gjatë nga Kuksi deri në Dibër. Këtë vepër mundet ta investojë Kosova duke përdorur mjete financiare nga Trusti i Kosovës. Nuk ka kuptim që paratë e Kosovës të investohen jashtë dhe jo në Shqipëri, aq më tepër në një vepër që është më strategjikja për ekonominë kombëtare dhe që siguria e investimit është më se e lartë, pasi blerësja e rrymës është po Kosova. Pa llogaritur faktorin e pavarësisë energjitike.
C – Nxjerrja e Përpunimi Vertikal i MINERALEVE, specifikisht vënia në punë të plotë e “Trepçës” dhe burimeve të tjera, duhet të jenë prioritet urgjent i qeverisë së re. Por të formatuara si korporata të mëdha publike kosovare të listuara në bursën shqiptare.
D – Lidhja efektive me KORRIDORET e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Unifikimi i Tregut Kombëtar mendoj që duhet të jenë prioritete kryesore të qeverisë së re. Ne, në Qëndrën Shqiptare të Studimeve Strategjike kemi studime të mira mbi korridoret ndërkombëtare të mallrave që kalojnë në rajonin tonë. Shqipëria dhe Kosova janë totalisht të përjashtuara si nga korridoret detare ashtu dhe ato hekurudhore, thjesht së paku për arsye gjeografike. Korridori kryesor hekurudhor që kalon në Ballkan është RNE C11 (Stamboll-Sofje-Nish-Beograd-Zageb-Ljubljane-Mynih). Pra, rruga më e shkurtër për t’u lidhur me këtë korridor është linja hekurudhore Prishtinë-Doljevac (Nish). Por lidhja me Nishin nuk ka kurrfarë vlere nëse Kosova nuk lidhet me hekurudhë me Shqipërinë. Prej vitesh ne i kemi paraqitur studimet tona qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë me 5 variante lidhje hekurudhore Shqipëri-Kosovë, ku më i shkurtri është Shkodër-Rakovinë (Gjakovë), 100km, me kosto 300 milionë euro, kur 50% jepet grant nga BE. Prej 6 vjetësh çdo qeveri e Kosovës ia ka paraqitur propozimin tonë Qeverisë së Tiranës, por është refuzuar gjithmonë nga Tirana. Edhe nëse realizohet lidhja hekurudhore me Shqiperinë, nuk futemi dot në korridoret kryesore detare, pasi de-facto Shqipëria nuk ka port. Porti i Durrësit me thellësinë as 8 metra nuk lejon anije të tonazheve të mëdha edhe po të thellohet dhe për rrjedhim vetëm 60 mijë kontejnerë vijnë në Durrës. Kosova duhet të ndërtojë komplet një port të ri në Gjirin e Drinit, me thellësi 30m, që të përthithë trafik detar. Nga studimet tona një port i tillë mund të përthithë deri në 2 milionë kontejnerë në vit, me destinacion kryesor Gjermaninë dhe EVropën Lindore. As Shqipëria, as Kosova, bile as Serbia, të marra së bashku nuk arrijnë dot të gjenerojnë trafik për një port të tillë. Nëse Qeveria e Kosovës ndërton portin e saj, atëherë ka gjithë të drejtën që përpunimin e kontejnerëve ta bëjë në Fushë-Kosovë, duke e kthyer atë në një Nyje Rajonale (Hub) të rëndësishme për furnizimin e Ballkanit dhe Europës dhe të punësojë mbi 15mijë veta.
E – Eksporti i TRURIT (nëpërmjet Start-Up) është një potencial i pakufishëm. Qeveria duhet të investojë direkt në to. Kështu janë ngritur firmat e mëdha teknologjike në botë.
Por të gjitha investimet duhen të mbështeten me politika të përmirësimit të kushteve të biznesit, të taksimit më të ulët në rajon, të përmirësimit të kushteve të punës, të rritjes së cilësisë së institucioneve (kryesisht me e-Government). Duhet marrë në kontroll tregu kombëtar dhe mbrojtja e burimeve ekonomike, shkurt proteksionizëm modern alla-Trump. Mbyllja e hemoragjive (vrimave) të rrjedhjes së burimeve ekonomike kombëtare është një detyrë minimale dhe dinjitoze që duhet ta bëjë qeveria e re.
Përmbledhtas:
QËLLIMI real i ‘Sistemit të Ri’ duhet të jetë rritja e MIRËQENIES KOMBËTARE, nëpërmjet ndërhyrjeve qeveritare në ekonominë kosovare, për ta aftësuar për shekullin XXI. Pa ndërhyrje qeveritare në ekonomi, nuk mund të ketë ndryshim të shpejtë e të programuar, por do të ketë vetëm zhvillime ekonomike kaotike si deri më tani.
INSTRUMENTET kryesore të zbatimit të këtij ‘Sistemi të Ri’ janë 3:
- TRURI – ‘Bordi i Inteligjencës Ekonomike’;
- ZEMRA – ‘Bursa Shqiptare’;
- MUSKUJT – ‘Korporatat e Mëdha Kosovare’.
Vetëm me këtë rrugë mund të ndërtohet ekonomia e fortë dhe shpejt./kohaditore. net/
Geri Selenica është drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Strategjike