Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: QARKULLIMI I ELITAVE POLITIKE ËSHTË JETIK PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI…!

Image result for skenderbeu ne shkup

 

Refleksion i shkurtër për samitin e intelektualëve shqiptarë në Maqedoni

 

Sapo mësova për nismën më të fundit të intelektualëve shqiptarë në Maqedoni.

Një veprim i drejtë e shumë i nevojshëm, sidomos në këto momente kur Maqedonia po përballet me zhvillime të të gjitha llojeve të cilat e kanë bërë më komplekse zgjidhjen e futjen e saj në rrjedhat normale të zhvillimit.

Duke kthyer kokën pas, duke krahasuar e analizuar disa nga zhvillimet e viteve të fundit më rezulton se shqiptarët në Maqedoni nuk janë afruar por larguar janë nga objektivat madhore të cilat sot pas dy dekadave demokraci duheshin realizuar duke avancuar statusin juridik kushtetues të shqiptarëve.

Sot, shqiptarët në Maqedoni nuk janë shtetformues dhe gjuha shqipe nuk është akoma gjuhë zyrtare.

Vëllezërit tanë atje llogariten nën 20 për qind të popullit në Maqedoni dhe janë vendosur në një radhë me pakicat kombëtare si egjyptianët, turqit, serbët e të tjerë.

Afro një vit më parë, pata rastin të takohem me një shqiptar të Maqedonisë që jetonte në një vend europian.

Ishte një njeri i apasionuar me historinë e popullit shqiptar.

Ndër të tjera më befasoi me strukturën demografike të popullit në Republikën e Maqedonisë.

Listës përbërëse i prinin shqiptarët me 47 për qind, pas tyre vinin bullgaro-maqedonët me 40 për qind e pastaj me radhë pakicat kombëtare.

Ky njeri i ditur më informoi se në këto konkluzione mund të arrijnë edhe studiues të tjerë nëse merren me rigorozitet me të dhënat e institucioneve aktuale në Maqedoni.

Nuk do të futem në këto detaje, por jam shumë i shqetësuar se si është e mundur që partitë politike shqiptare ALI AHMETI me shokë nuk e morën njëherë mundimin të merren me këtë problem, të numërojnë me të gjitha mjetet, bashkëqytetarët e vet e t’i thonë opinionit vendas e atij ndërkombëtar se shqiptarët nuk janë pakicë por popull shtetformues duke e vendosur shqipen aty ku i takon, gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Lexova disa nga objektivat e punës të SAMITIT TË INTELEKTUALËVE SHQIPTARË NË MAQEDONI të cilat janë shumë të drejta e ja vlen të luftohet për realizimin e tyre.

Me shumë modesti do t’iu lutesha që në këto objektiva të futeshin apo shtoheshin edhe këto dy propozime publike:

  1. Në bashkëpunim me organizatat rinore dhe shoqatat në diasporë të hartohet një projekt i veçantë për regjistrimin e saktë të popullit shqiptar në Maqedoni, brenda saj dhe në diasporë. Në krye të këtij projekti të jenë intelektualë të shquar që me punën e qëndrimin e tyre kanë dëshmuar ndjeshmëri të lartë për fatet e popullit të vet.
  2. Në samitin e intelektualëve shqiptarë të ftohen edhe intelektualë jo shovinistë maqedonas të cilëve t’u krijohet mundësia e dhënies së fjalës e mendimeve alternative për zhvillimet e demokracisë e të shoqërisë maqedone. Sigurisht që këto dy propozime të miat janë shumë pak në raport me objektivat që ka ky samit i inteligjencës shqiptare.

E rëndësishme është të kuptojmë thellësisht që për statusin aktual të shqiptarëve në Maqedoni, për ikjen masive të rinisë në emigracion, për burgosjen e luftëtarëve të lirisë, për korrupsionin e lartë e pasurimin e frikshëm të politikanëve e klaneve pranë tyre, përgjegjësinë e kanë forcat e vjetra politike, liderët e tyre me ALI AHMETIN me shokë në krye i cili për shumë vite me rradhë bashkëqeverisi me Gruevskin, me antishqiptarin e thekur që iku i palagur e jeton në mes të luksit e të mirave, në qendër të Europës Komunitare.

Jam i bindur se ndryshimi i gjendjes së krijuar në Maqedoni kërkon një angazhim të plotë e të gjithanshëm të të gjithë qytetarëve.

Jam i bindur gjithashtu se numri i sehirxhinjve është rritur e shumë intelektualë të zhgënjyer janë tërhequr por gjithashtu mirë e di se përmbysja e madhe kërkon kontributin e të gjithëve, veçmas të rinisë e të inteligjencës shqiptare në Maqedoni.

Është koha për të vepruar e për të marrë në dorë fatin e popullit shqiptar në Maqedoni. Është koha për ta mbështetur këtë përpjekje serioze të inteligjencës shqiptare dhe kjo është e mundur dhe duhet bërë.

Këtë mund ta bëjë një bashkim i gjerë intelektual me organizatat rinore të cilat do t’i japin energjinë e nevojshme ndryshimit të cilin njerëzit e të gjitha shtresave e presin me padurim.

Shqiptarët janë velur me politikanët e vet e më duket se unifikimi i faktorit politik shqiptar me BDI-në e pa reformuar nuk do të sjellë hënë të re për aspiratat e popullit në Maqedoni.

SAMITI I INTELEKTUALËVE DUHET PËRKRAHUR SEPSE ME OBJEKTIVAT E PARAQITURA OFRON SHPRESË PËR TË ARDHMEN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI…!

Please follow and like us: