Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Tirana e Nonës së Fevziut dhe Porto Palermo e gjyshërve të himariotëve!

 

Image result for porto palermo

Pak ditë më parë, Blendi Fevziu kishte ftuar në emision, Artan Lamen, Drejtor i Përgjithshëm i Kadastrës, ai që për vite me rradhë si drejtor i ALUIZNI-t, i rezervoi Ramës një “One Men Show“ të neveritshëm, teksa ndante para kamerave, certifikata pronësie edhe tek ata që kishin ndërtuar në toka të zaptuara. Por kur vinte puna për të folur për grabitjet e pronave të trashëguara në bregdet, Lame nuk kishte asgjë për të thënë! Flisnin vetëm mediat pro qeveritare duke thënë që ca gardhe dhe ca lavazhe po prishen, se në fakt këta rilindasit janë fenomenalë, vetëm kur nxjerrim armët dhe vrasin njeri-tjetrin për prona, pranojnë që ka një problem.

Pra nga Lamja nuk prisja asgjë as këtë herë! Por prisja pyetjet që të gozhdonin Lamen. Dhe ato duhej ti bënte Fevziu! Por si për çudi, para një harte të Porto Palermos, Fevziu vendosi të komentojë, jo të pyesë! Si fillim, drejtuesi i ‘Opinion’ tha që është e pamundur të ketë prona private në atë zonë, sepse ajo ka qenë zonë ushtarake. Më pas tregoi shqetësimin e tij se si pronarët do bënin aty vilat e tyre në ato toka, ndërkohë që duheshin bërë resorte! Prandaj e shoh të udhës që të shpjegoj nja dy gjëra, si banor autokton i Himarës!

Si fillim duhet thënë se historia e Himarës nuk fillon me vendosjen e regjimit të Hoxhes, pra meqë Porto Palermo ka qenë zonë ushtarake, atëhere na qenka shtetërore! Kjo nuk është e vërtetë! Në atë zonë nuk ka prona shtetërore, as në shkëmb dhe as në fushë. Në shekuj banorët që kanë jetuar aty, kanë patur kullotat e tyre, vreshtat e tyre dhe diheshin të kujt janë dhe askush nuk futej tek prona e tjetrit!

Nuk e di se kush ka marrë prona aty, por di që pyetja duhej shtruar, se kush janë ata pronarë? Nëse janë të zonës, patjetër që ju takon, madje i duhej kërkuar llogari Lames pse nuk iu kanë dhënë akoma certifikatat e pronësisë për ato toka, ndërkohë që kanë legalizuar shtëpi edhe në Bathore! Por nëse në ato toka, figuron pronar dikush që ka ardhur nga Laçi apo Burreli për shembull dhe ka grabitur ose ka dhënë ndonjë lekë tek ndonjë pushtetar, ai duhet larguar që aty sepse nuk i takon. Asnjë himariot nuk shkon në Laç ose në Burrel të grabisë toka. Dhe pasi të bëhet ky pastrim, le të vijë investitori dhe t’ia blejë pronarëve tokën!

Pra që të jenë të gjithë të qartë, nuk ka toka shtetërore në atë zonë! Ose e thënë ndryshe, siç e ka Fevziu, Tiranën e Nonës (titulli i librit) dhe kur kemi ardhur në Tiranë për të jetuar, tokën e kemi blerë, edhe ne himariotët, e kemi tokën e Himarës, të trashëguar nga të parët tanë, pra është e jona! U kuptuam besoj!

https://www.facebook.com/nikollaq.neranxi/videos/10214825154516232/

Please follow and like us: