Macron papritmas fton Thaçin dhe Vuçiqin në një takim
Presidenti francez Emanuel Macron papritmas u bëri thirrje Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq të takohen sot, raporton portali serb Blic, transmeton zeri.info.
Thaçi dhe Vuçiq janë në Paris duke marrë pjesë në “Forumin e Paqes”. Për shkak të bisedimeve me presidentin francez, Vuçiq u largua nga Paneli për Multilateralizëm, në të cilin ai mori pjesë në kuadër të Forumit. Përndryshe, Macron u takua me Vuçiqin në mënyrë bilaterale mbrëmë, me të cilin foli për më shumë se një orë.
“Macron dëshiron të takohet përsëri me Vuçiqin, dhe më pas me Vuçiqin dhe Thaçin së bashku”, thanë burime diplomatike për Blic. Macron më herët kishte përsëritur qëllimin e tij për të përfshirë Francën më drejtpërdrejt në dialogun Beograd-Prishtinë që është bllokuar për një kohë të gjatë.
Presidenti francez gjithashtu theksoi vendosmërinë e tij për t’u përfshirë në dialog gjatë vizitës së tij në Beograd. Më parë, në Samitin e Berlinit, të mbajtur në fund të prillit, ai reagoi jashtëzakonisht ashpër ndaj vërejtjeve të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Haradinaj, që i konsideroi të papranueshme.
“Ju nuk jeni në gjendje të kërkoni asgjë, nuk do të merrni asgjë, madje as liberalizim të vizave. A e dini pse? Unë nuk do t’jua jap”, i tha Macron Haradinajt në atë kohë, shkruan tutje portali në fjalë. Në fillim të tetorit të këtij viti, presidentit francez gjatë takimit në New York me Ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se ai do të përfshihet personalisht në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, menjëherë pas zgjedhjeve të Kosovës./Zeri