Sadik Bejko: In memoriam, regjizorja Arzana Kraja!
Ka vdekur Arzana Kraja, regjisore, bija e shkrimtarit Mehmet Kraja, Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kjo ngjarje është shumë e hidhur për botën e kinematografisë në Kosovë, botë ku Arzana Kraja ka kontribuar.
Është e hidhur dhe për rrethet e shkrimtarëve dhe të akademikëve të Kosovës, rrethe ku emri i Mehmet Krajës është një nga më të përmendurit, nga më të çmuarit.
Kjo ngjarje më prek dhe mua personalisht.
Si një i njohur i familjes Kraja, si bashkëpjesëmarrës dhe përcjellës me shkrimtarin dhe akademikun Mehmet Kraja i shumë veprimtarive kulturore në Tiranë Shkup, Prishtinë, Ulqin, si një nga lexuesit dhe vlerësuesit e veprimtarisë prej shkrimtari eseisti e veprimtari të Mehmet Krajës, unë sot ndjehem nën helmin zisë që i ka rënë në pjesë asaj familjeje. Familjes së mikut, kolegut tim.
Kjo është ngjarje e hidhur dhe për rrethet e krijuesve, të botueseve, të akademikëve e të publicistëve të Tiranës, rrethe ku Mehmet Kraja ka lënë gjurmë të pashlyera si krijues me integritet, si hartues veprash me cilësi të shënuara artistike
I shpreh ngushëllime familjes së Mehmet Krajës.
Arzana Kraja u prehtë në paqe dhe në mirësi.
Të bëjnë durim në zemër dhe në mendje ata që e rritën dhe e deshën Arzanën.
Të bëjnë kurajo për ta përqafuar çdo ditë jetën.
Kështu Arzana do të jetë e gjallë.
Sa kohë ata që e deshën, do të rrojnë dhe do ta kujtojnë atë, për aq kohë Arzana do të jetë e gjallë.