Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: Velipoja si Sarajeva…

Kush e ka vizituar Sarajevën qoftë edhe njëherë të vetme është e pamundur të mos e ketë bërë një xhiro nëpër këmbësoren e saj të famshme e cila është e gjatë së paku 3 kilometër. Vetëm njëqind metra nga Hotel ‘Saraj’ që gjendet në bash të vendit, mu tek Biblioteka e Qytetit nis këmbësorja e Sarajevës e cila për më shumë se 1 km e gjysmë gjarpëron në stilin otoman të qyteteve të Perendorisë Osmane në formën e çarshisë. Nëpër ato rrugica me kalldrëm ngjyrë gri në të kaftë mund të gjesh gjithfarë cingrimash dhe shërbimesh lindore nga çajtoret e famshme të qebabat erëndjellëse. Nga punimet e drurit tek ata të bakrit, argjendi, filigramit dhe arit.

Tingujt e muzikës dhe ngjyrat orientale të veshjeve të ekspozuara nëpër rrugë e rrugëza të ngjiten në lëkurë dhe të hyjnë në trup. Tregëtarët dhe afruesit e shërbimeve gati sa nuk të kapin për krahu për të provuar diçka prej prodhimeve apo shërbimeve që afrojnë. Era e fortë e kafes turke dhe nargjileve të shpon hundët. Minaret e Xhamive shpojnë qiellin dhe po të ndodhë që është vakt falje thirrja e zanit të hoxhëve krijon një kakofoni të zhurmshme sa të duket sikur je duke shkuar në xhenet apo edhe në xhehnem pse jo.

Bash kur je ngarkuar me emocione të lindjes deri në fyt si më thikë ndryshon gjithçka. Ndahesh me Portën e Lartë dhe hyn në Perendorinë Austro- Hungareze. Aty ndahesh me çarshisë dhe hyn në pedonale, mermeri i bardhë dhe i lëmuar në shtrojë dhe stili gotik i ndërtesave dy e tre katëshe me xhama vezullues, reklamat e ndritshme dhe menekinët me veshje mode. Baret elegante dhe ekspoziturat e pijeve alkolike, reklamat elektronike të Marlborës dhe Philip Morris, kostumet bikini dhe tangat, muzika xhaz dhe havy metal të befasojnë aq sa mendon që ke shkelur në një shtet tjetër dhe jo në disa qindra metra prej Hotel Saraj-it që është njëra prej krenarive të hoteleve të Sarajevës.

Të gjitha këto kujtime për këtë ndërthurje dhe bashkëjetes unike qytetërimesh më erdhën këtë fundjavë kur po shëtisja në bregdetin e Velipojës e pikerisht në pjesën perëndimore të këtij plazhi mahnitës. Me një ndryshim pasi në atë pjesë të Velipojës oazi që shkëlqente nga luksi, shndriste nga pastërtia, cilësia dhe çmimet e çmendura ishte në lindje ndërsa aty ku fillonte plazhi i skamnorëve dhe të pamundurve niste perëndimi.

Velipojë me 16 Gusht 2020.

Please follow and like us: