Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkitë marrin çmime për praktikat më të mira gjatë 2020

Në edicionin e 4-t të Konkursit të Praktikave më të Mira 2020 Ministria e Brendshme, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Ambasada e Zvicrës paraqesin 13 çmime për praktika dhe shërbime inovative nga bashkitë e vendit

Edicioni i 4-t i Konkursit të Praktikave më të Mira për qeverisjen vendore u organizua sot nën kryesinë e Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Konkursi shpalli 13 fitues – bashki dhe këshilla bashkiake nga i gjithë vendi – për projekte, nisma dhe praktika të sukseshme të realizuara gjatë 2020.

“Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të reformës administrativo- territoriale. Një pjesë e madhe e bashkive kanë arritur ta brendësojnë këtë reformë. Por është e rëndësishmë që ne të komunikojmë më njëri-tjetrin, të mos kemi vetëm suksese personale, por këto suksese të jemi të aftë për t’i transfeuar tek bashkitë e tjera në mënyrë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të përfitojnë nga këto praktika të mira”, tha Zv. Ministrja e Brendshme Romina Kuko.

E reja e këtij konkursi është votimi për herë të parë nga publiku për 4 nga të 13 çmimet e dhëna – secili me vlerën 2,500 franga zvicerane. Rreth 11,000 qytetarë votuan online për praktikat e publikuara nëpër faqet e dedikuara në internet dhe mediat sociale. Çmimeve të publikut jua shtuan edhe 8 çmime prej 5,000 franga zvicerane secili nga juria e përbërë nga akademikë, aktivistë civilë, dhe ekspertë të mjedisit, arsimit, mbrojtjes civile dhe medias.

“E përshëndes angazhimin e publikut në votim dhe përzgjedhjen e 4 prej praktikave më të mira të këtij konkursi. Përfshirja e 50,000 qytetarëve në ndjekjen online dhe votimin e praktikave, tregon interesin e lartë të popullatës për t’u informuar në mënyrën e duhur mbi zhvillimet e reja në dhënien e shërbimeve nga bashkitë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Bashkia Shijak mori dy çmime – si nga juria ashtu edhe nga pulibku – për përpjekjet për rindërtim dhe menaxhimin e emergjencave pas tërmetit. Votimet dhe përzgedhja e praktikave u krye mids muajve Korrik dhe Nëntor 2020. Nërkohë, Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) i dhuroi një çmim të veçantë bashkisë Kukës për nismën e mbrojtjes së kaskadës së Drinit nga mbetjet urbane, dhe UNICEF i dhuroi një çmim të veçantë bashkisë Vlorë për nismën mbi sigurimin e mjeteve mësimore për arsimin parashkollor.

Synimi i këtij konkursi të përvitshëm është evidentimi i bashkive inovatore jo vetëm në shërbime por edhe në demokracinë vendore dhe mbrojtjen civile. Konkursi vlen si një instrument që nxit shembujt e mirë dhe shkëmbimin e informacionit dhe njohurive midis bashkive të vendit.

Please follow and like us: