Albspirit

Media/News/Publishing

Himarë, procedohen 6 punonjës policie, me ta edhe ish-shefi i komisariatit

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka njoftuar zyrtarisht ekzekutimin e masës  së sigurimit personal për 6 punonjës policie në komisariatin e Himarës. Sipas njoftimit, këta punonjës kanë favorizuar shtetas të ndryshëm në fushën e kultivimit të narkotikëve. Mes tyre gjendet edhe ish-shefi i komisariatit të Himarës.

Njoftimi

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), Vlorë ekzekutoi Vendimin Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për caktimin e masave të sigurimit personal për 6 punonjës policie, efektivë të Komisariatit të Policisë Himarë.

Punonjësit e policisë së proceduar janë:

  • D.F., 56 vjeç, Oficer i Patrullës së Përgjithshme, me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”;
  • I.J., 39 vjeç, SPZ në Njësinë Administrative Horë, Bashkia Himarë, me masë sigurimi personal “Arrest në burg”, në mungesë, për të cilin u bë shpallja në kërkim;

A.T., 36 vjeç, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, me masë sigurimi personal të karakterit ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”;

  • A.V., 54 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve/Përgjegjës i Shërbimeve për Krimet, me masë personal të karakterit ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”;
  • I.K., 49 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve, me masë sigurimi personal të karakterit ndalues ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”;
  • A.Ll., 26 vjeç, Oficer i Patrullës së Përgjithshme, me masën e sigurimit personal të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe atë me karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.

Masat e sigurimit për punonjësit e Policisë dolën në funksion të procedimit penal në fushën e kultivimit të narkotikëve, ku dyshohet se në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra, kanë lejuar këtë veprimtari të kundërligjshme, kryer nga shtetas të ndryshëm, duke konsumuar elementët e “Shpërdorimit të detyrës”.

Pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë, veprimet dhe mosveprimet e të cilëve kanë favorizuar shtetas të ndryshëm në veprimtarinë e kultivimit të narkotikëve.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masat e sigurisë për 41 shtetas, të cilat janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit.

SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90 dhe duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor.

Please follow and like us: