Bislim Ahmetaj: Thyeje qafën 2020, ardhsh i bardhë 2021!
Viti 2020 ishte vit i pamëshirshën, i lig, i pabesë, i frikshëm, i dhimbshëm na mori shumë miq e të njohur, disa prej moshe, disa prej frike, disa prej virusit të shpikur nga mendjet djallëzore të botës së mahisur nga babëzia dhe ligësia. U mundua dhe pse jo ia doli të na mbaj larg njerëzve tanë më të dashur, me frikën e ligë që po e japim, apo po e marrim virusin e pshtirë industrial të pagëzuar prej ustallarëve të së keqës me emrin Covid-19.
Viti 2020 ishte vit i ushtrimit brutal të pushtetit të pushtetarëve pushta në shumë vende të botës, por që në vendin tonë ia doli suksesshëm të na nënshtronte. Viti 2020 ishte vit që të varfërit i kapitulloi, shtresën e mesme e bëri të varfër, ndërsa ata 2- 3%-in e të pasurve e pasuroi me pare dhe pasuri, por i shkretoi në shpirt dhe i shfaqi lakuriq n’sy të gjithë njerëzisë.
Viti 2020 ishte vit ku liritë dhe të drejtat e njeriut u shkelën në mënyrën më të dhunshme në emër të shëndetit të qytetarëve për përfitime të qeveritarëve dhe klientelës së tyre. Viti 2020 i ngjante një shkopi gome, një vakumi pa ajër, një “Bermuda Treangle” me brinjë kontinentale.
Viti 2020 po jep shpirt, i duhen vetëm edhe dy ditë. Njerëz të lirë, njerëz të mirë harrojeni, fshijeni nga kujtesa 2020-ën. Në 2021, luftoni për veten, luftoni për jetën, luftoni për të ardhmen tuaj, të fëmijëve dhe familjeve tuaja. Në 2021-in çdo qytetar i këtij vendi, qoftë i ri apo i vjetër, qoftë mashkull apo femër, qoftë injorant, mediokër, apo i ditur duhet të mendojë dhe të luftojë për ndryshimin. Nuk mund të jetohet nën mëshirën e shkopit të gomës dhe gazit lotsjellës, nuk mund të jetohet nën efektin e propagandës dhe shpresës së varur në dritat e kamerave të ERTV-së. Për gjithë njerëzit e lirë të vendit tim, por edhe të kësaj bote të vogël uroj me shpirt që viti 2021 të jetë Viti i Shpresës, Viti i aktivizmit qytetarë, Viti i Ndryshimit, viti i pagëzimit të ëndrrës sonë europiane.
GËZUAR 2021!