Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Prof. Dr. Mehmet Çeliku

Prof. Dr. Mehmet Çeliku është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Çeliku dha kontribute të çmuara në arsimin e lartë në Shqipëri. Ai ishte një gjuhëtar i shquar dhe titullar i disa lëndëve gjuhësore. Çeliku ishte bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave dhe ish-rektor i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan. Prof. Dr. Çeliku është autor i rreth 200 teksteve gjuhësore.

Jetëshkrim për prof. dr. Mehmet Çeliku:

Profesor Mehmet Çeliku u lind në Elbasan në 15 janar 1936. Shkollën e mesme e kreu në Elbasan dhe më pas studioi për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji.

Me mbarimin e studimeve universitare, filloi punë si bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nga viti 1958 deri në 1973, vit kur nisi edhe punën në Universitetin e Elbasanit, në atë kohë Instituti i Lartë Pedagogjik “A.Xhuvani”.

Profili shkencor në Akademi i profesor Çelikut ishte dialektolog. Gjatë 15 viteve të punës në këtë institucion ai hulumtoi mbi njëqind pika të banuara dhe studioi të folmet e gegërishtes jugore dhe të folmet kalimtare. Ishte bashkëhartues i Gramatikës së Akademisë, vëllimi II, si dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1973 prof. dr. Mehmet Çeliku emërohet si pedagog në ILP “A.Xhuvani”, mori detyrën e përgjegjësit të katedrës së gjuhës, letërsisë dhe gjuhëve të huaja, dhe e drejtoi atë për 19 vjet, deri në vitin 1992, duke i dhënë kësaj njësie një profil të qartë kërkimor shkencor, por edhe një mësimdhënie të nivelit universitar të denjë për traditën e qytetit të Elbasanit. Ai punoi për 41 vite në këtë universitet deri në fund të punës së tij si mësimdhënës universitar.

Ai ishte titullar i disa lëndëve gjuhësore, si: morfologji, sintaksë, dialektologji, shqipe standarde dhe i tri kurseve speciale në fushë të gjuhës (ku trajtoi probleme të morfologjisë, çështje të normës gramatikore, format e pashtjelluara të foljes); disa nga lëndët dhe kurset e tij janë zhvilluar edhe në Universitetin e Tiranës, por edhe në universitete të tjera të vendit (Gjirokastër, Tetovë etj.).

Ishte rektori i Universitetit “A. Xhuvani” Elbasan nga viti 1992 deri në 1996.

Përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe gjuhës shqipe e vijoi në Elbasan me të njëjtin intensitet si në vitet e Akademisë dhe në vitin 1980 mori titullin “Kandidat i shkencave” me disertacionin “Gegërishtja jugperëndimore”; në vitin 1984 mori titullin “Docent”; në 1990 mori titullin “Doktor i shkencave” me disertacionin “Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe”; në vitin 1994 mori edhe titullin “Profesor”.

Gjithashtu ai është nderuar edhe me titujt “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” (1987), “Mësues i Popullit” (1993), dhe “Qytetar nderi” i Elbasanit (2006).

Veprimtaria botuese e profesor M.Çelikut përmbledh rreth 200 zëra (libra, monografi, përmbledhje, tekste universitare, artikuj, referate, kumtesa), me mbi 3500 faqe të botuara, ndër të cilat përmendim: “Probleme të morfologjisë së gjuhës së sotme shqipe”, botim i SHBLU, Tiranë 1997; “Format e pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe”, botim i parë i SHBLU, Tiranë 2000, botim i katërt i ILAR, Tiranë 2013; “Çështje të shqipes standarde”, botim i ASHSH, Tiranë 2014; “Gramatika e gjuhës shqipe, vëllimi II Sintaksa”, me bashkautorë e botuar nga ASHSH, Tiranë, 1997; “Gramatika praktike e gjuhës shqipe”, me bashkautorë dhe kryeredaktor i saj, botimi i katërt 2007; “Tekst ushtrimesh për sintaksën e shqipes standarde (Pajisur me shënime teorike dhe me modele të zgjidhura)”, ILAR, Tiranë, 2008; “Institucione, autorë, vepra, intervista”, Tiranë, ILAR, 2009, botuar nga Universiteti “A. Xhuvani”; “Sintaksë e gjuhës shqipe (Përbërësit sintaksorë), Vështrim i ri teorik”, Tiranë 2012; “Hyrje në metodologjinë e kërkimit shkencor (Shkencat gjuhësore)”, Tiranë 2014.

Ishte hartues i dy teksteve universitare: “Sintaksa e gjuhës së sotme letrare shqipe (leksione)”, bot. i parë Elbasan 1977; botim i dytë, Tiranë, 1980; “Tekst ushtrimesh të gjuhës shqipe, pjesa e dytë”, me bashkautorë, botim i Universitetit të Tiranës, Tiranë 1984.
Projekti i fundit në duart e profesorit, me të cilin kishte disa vite që po punonte, ishte “Parafjalët e gjuhës shqipe (vështrim morfo-sintaksor)”, 380 faqe dorëshkrim i daktilografuar.

Artikujt e botuar në organe shkencore janë të shumtë (131 tituj) dhe po ashtu të shumta janë edhe pjesëmarrjet e tij në konferenca brenda dhe jashtë vendit.
Në 31-31 tetor 2015 Universiteti i Elbasanit organizoi një konferencë shkencore mbarëkombëtare me titull “Mehmet Çeliku – personalitet i gjuhësisë shqiptare”, ku morën pjesë 61 kumtues me 53 kumtesa nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut.

Please follow and like us: