Medlir Mema: 2020, një vit ‘menteshë’
Por, këto humbje fshehin dhe shtrembërojnë një realitet tjetër po aq të prekshëm dhe po aq transformues. Duke filluar që nga studimi i natyrës së Covid-19, dhe në vijim duke konsideruar investimin, hulumtimin dhe zhvillimin në kohë rekord te vaksinës, është e qartë që vend për optizëm ka, sidomos në shkencë dhe teknologji. Përparimet në këto fusha gjatë vitit 2020 janë marramendëse. Nëse marrim parasysh vetëm zhvillimet e fundit në teknologji, parashikohet që deri në vitin 2030, ekonomia botërore do të rritet me 13 trilion dollarë më shumë për shkak të integrimit të ashtuquajturës ‘inteligjence artificiale’ në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Edhe në fushën e arsimit, përtej vështirësive që nxënësit dhe mësuesit kanë përjetuar, duhet theksuar që pandemia vetëm ka përshpejtuar orientimin drejt mësim-dhënies dhe mësim-marrjes virtuale. Ky implementim ‘para kohe’ i kësaj teknologjie dhe mënyre mësim-dhënieje ka parashtruar kështu pyetje të vështira, por të domosdoshme për çdo shoqëri për gatishmërinë e tyre për të qënë të suksesshëm në një të ardhme tani edhe më të afërt. Viti 2020, pra, në fushën e arsimit është kthyer në një ‘vit zero’, dhe ajo shoqëri ose ai shtet të cilët përvetësojnë sa më parë mesazhin transformues të këtij viti, do të jenë ndër ata që do të kenë më shumë gjasë të përfitojnë nga të ardhurat shtesë të përmendura më sipër.
Zhvillimet politike që nga janari i kaluar vazhdojnë të evidentojnë një sistem ndërkombëtar të paqëndrueshëm, pjesërisht si rezultat i një tërheqjeje të pjesshme të Shteteve të Bashkuara nga strukturat ndërkombëtare shumë-palëshe, krizës së brendshme të Bashkimit Evropian, si edhe të përpjekjeve të fuqive të tjera rajonale, përfshirë këtu Kina, Rusia, Turqia, dhe Irani. Në SHBA, zgjedhjet presidenciale shërbyen si një paralajmërim i rrezikut të retorikës populiste dhe autokratike edhe për vendet me një sistem demokratik të qendrueshëm, si edhe domosdoshmërinë e ndërtimit të institucioneve të shëndetshme ligjore me mbështetje të thellë shoqërore.
Vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë përjetuar këto zhvendosje tektonike në fushën e teknologjisë, arsimit dhe politikës, në tërësinë e tyre dhe fatkeqesisht rezultati lë shumë për të dëshiruar. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, realiteti shqiptar mbarërajonal, por sidomos ai i manifestuar në paaftësinë e qeverisë së Shqipërisë, për t’iu përgjigjur në kohë dhe në mënyrën e duhur sfidave dhe mundësive të ofruara nga ky vit ‘menteshë’, përbën ‘ekspozitën A’ të një modeli politik-bërës dritë-shkurtër i cili rrezikon të humb trenin e fundit në drejtim të së ardhmes.
Viktimë e manipulimeve dhe ndërhyrjeve të vendeve fqinj si edhe të fuqive të tjera me interesa rajonale, e mbajtur peng nga një Europe e paralizuar nga kriza të brendshme dhe të jashtme dhe mbi të gjitha të një klase politike që qeveris apo kërkon të qeveris vetëm në bazë të interesit personal dhe në mungesë të një largpamësie strategjike, Shqipëria rrezikon më shumë se çdo vend tjetër në rajon. Por, të gjithë këto probleme rrjedhin kryesisht nga mungesa e zhvillimit ekonomik, kulturor, arsimor dhe politik. Në mungesë të një zhvillimi të përshpejtuar në të gjitha këto fusha, Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jenë viktima të rrethanave dhe jo në kontroll të fatit të tyre.
Fatmirësisht, zgjidhjet ekzistojnë për të zvogluar hendekun që na ndan me vendet fqinjë dhe me vendet e zhvilluara. Sikurse ish-kryeministri historik britanik, Uinston Çurçill, këshilloi “mos lejoni kurrë që një krizë e mirë të shkojë dëm”. Viti 2020, i cili nën drithmat e fundit të tij na rikujton sa lehtësisht mund të vihet në pyetje sovraniteti territorial dhe detar i një vendi që nuk ka aftësinë të kontrollojë integritetin e tij, na fton të artikulojme një vizion më të guximshëm të së ardhmes, një vizion i cili duhet të jetë i tërësisht mbështetur në një politikë të bazuar në mesazhin kryesor të këtij viti ‘menteshë’: të investojmë në arsimimin, përvetësimin dhe shpërndarjen e teknologjisë kompjuterike nëse duam të lundrojmë dhe jo të mbytemi nga dallga e së ardhmes.
Medlir Mema është profesor i Marrëdhënieve dhe Ligjit Ndërkombëtar në Universitetin Ndërkombëtar të Tokios.
Medlir Mema është profesor i Marrëdhënieve dhe Ligjit Ndërkombëtar në Universitetin Ndërkombëtar të Tokios.