Sadik Bejko: Telefonatë nga Moska në 14 Shkurt
Jemi në Moskë, të ftuar nga Ministria Ruse e Kulturës. Në krye ishte Ministri ynë Dh. Anagnosti, pastaj D. Kokonozi etj, etj. Në hotel Ukrahina. I rrënuar sa as lavamanit nuk punonin. Ishte viti 1995. Pak hollë, në mos fare e cergët, ishte gjendja e Moskës së kohës. Përballë kishim Shtëpinë e Bardhë, parlamentin Rus, pas rebelimit të Hazbullatovit. Mbi të dukeshin gropat dhe vrimat e zeza lënë prej topave të Jelcinit.
Kish një ngjeshje dhe te njerëzit që na shoqëronin. Nuk besonin se aty do vinin ditë të mira.
Përkthyeses që shqipen e kishte mësuar në Prishtinë i thashë: Me mend Rusinë nuk e kupton, mund të besosh veç në Rusinë (nga poeti Nekrasov).
Po ju ku i dini këto?
Ju na i kemi mësuar, i thashë.
Një, dy, tre… katër ditë. Në Moskë muzgu zgjaste deri nga ora 2 pasmesnate. Pastaj natë.
Me Shqipërinë nuk lidheshe dot me telefon. Mos u mundoni kot, na tha Anagnosti.
Një mbasdite kishim një orë të lirë pa takime, vizita. Në dhomë. Sipas udhëzimeve të shkruara, futa gjithë numrat në memorien e telefonit te koka e shtratit dhe i bija butonit që të lidhesha me shtëpinë. Më dilte një pip… pip… pip. E dija, nuk mund të lidhesha dot. Po, mërzi, nervoz, s’kish ç’bëja dhe shtypja prapë butonin. 5, 6, 10 mbase dhe më shumë herë shtypja butonin.
Kur gati po më mbylleshin sytë, kur nuk e prisja, dëgjoj zërin e gruas në Gjirokastër. Nga telefoni fiks i shtëpisë. Alo, alo…
U hodha përpjetë. Folëm. U pyetëm. Për atë, për fëmijët, për të tjera… as dy minuta. Doja të vazhdoja. Gruaja e mbylli. Nga Moska në Gjirokastër harxhon shumë para. Mirëse të vish… të presim… po e mbylli. Alo alo. Pip pip…
Dreqi e mori. Unë kisha hyrë në lidhje fare rastësisht. Nuk ishte regjistruar as në recepsion. Unë do t’a paguaja sa të bënte.
Por gruaja ime gjirokastrite ma preu një lidhje që vetë fati mund ta stiste.
Kur u thashë, që kisha folur me gruan në Gjirokastër, qeshën…
Asnjë nuk më besonte.
Pse e thashë këtë histori?
Është shën Valentin.
Edhe kur për fat u hapën rrugët e linjave ndërkombëtare dhe u lidha me gruan…
Këtë s’ma besonte as ajo as tjetër njeri.
Linjat ndërkombëtare dikur kanë qenë më tekanjoze se gratë… edhe kur nuk është Shën Valentin.
Nuk e di…/albspirit.com
Please follow and like us: