Ismail Xhaferi: Arratisje
Herë na vret një fjalë si plumbi,
Fjalë e ligë kurrë nuk ndal,
Si duron o shpirti im,
Arratisu në një mal!
Herë na vrasin thashethemet,
Vrasin shpifjet pa mbarim,
Ik o shpirt e arratisu,
Ku rrjedh ujin një burim!
Diku vret politikani,
Me mashtrime, prerje besë,
Shpirti im ik arratisu,
Fshihu tek një pikëz vese!
Diku ëndrrat sapo nisin,
Vriten, humbin dalëngadalë,
Ik o shpirt e arratisu,
Në një pyll a në mal.
Diku vritet një njeri,
Në një grindje kot së koti,
Ik o shpirt edhe gjej strehë
Brenda tek një pikë loti!
Diku sheh dy sy të nxirë,
Të një zonje, të një nëne,
Ik o shpirt e arratisu,
Fshihu si një yll pas hëne!
Diku vret një thikë pas shpine,
Mua më pushton të qarët,
Shpirti im ik arratisu,
Ç’bën këtu me mëkatarët?!
Please follow and like us: