Silvana BEGAJ: Çfarë na mësuan këto zgjedhje?
Një popull që ka të përmbushura nevojat minimale fillon dhe mendon. Të mendosh do të thotë të kuptosh e më pas të krijosh e të kërkosh. Të kërkosh! Kjo është e rrezikshme!
Një popull që nuk ka nevoja minimale është dinjitoz dhe vendos denjësisht për ato zgjedhje që kontribuojnë në më të mirën e tij, dhe së të ardhmes së tij dhe pasardhësve së tij. Kjo është e rrezikshme!
Një popull që nuk ka nevoja minimale rri dhe lufton në vendin e tij, jeton një jetë ku sfida është përmirësimi i jetesës dhe ambicieve të tij. Është më e lehtë kur boshatiset dhe ikën pjesa më aktive e shoqërisë. Kjo pjesë aktive është rrezik!
Një popull që nuk ka nevoja minimale bëhet i bezdisshëm, mezi nënshtrohet. Kjo është e rrezikshme dhe e bezdisshme në pergjithësi!
Një popull që nuk ka nevoja minimale është një popull i lumtur. Kjo lumturi do sillte shumë buzëqeshje dhe bashkim midis njëri tjetrit dhe kjo është e rrezikshme. Lojërat nuk kanë kuptim pa përcarje!
Një popull që nuk ka nevoja minimale nuk detyrohet të bëjë krime për arsye banale apo nga mllefi që i ka zënë sytë se nuk ka c´humb. Kjo është e rrezikshme! Krimet banale duhen për të mbuluar krimet e vërteta.
Një popull që nuk ka nevoja minimale nuk serviloset dhe as nuk shitet aq lehtë dhe lirë. Kjo është e rrezikshme! Po nuk u shite nuk kanë kë të blejnë.
Ne jemi një popull i varfër, i lënë qëllimisht ashtu dhe e kuptoj mirë Pse-në. Kush do duartrokiste me zell për fitoren e kush do pikëllohej për humbjen duke parë idhujt e tyre sikur ka zbritur Zoti në tokë edhe pse e dinë shumë mirë që e ardhmja do ishte ekzaktësisht si ka qenë edhe nëse do kishte rrotacion. Në një moment mu duk sikur po përjetoja clirimin e Shqipërisë nga armiku turk dhe mrekullirat po na presin.
Prandaj, zonja e Zotërinj, duhet shesh të bëhet përshesh.
Tashmë e di! Varfëria qenka burimi i cdo ligësie, poshtërimi dhe shkatërrimi. Tashmë e di pse duhet domosdoshmërisht të ngelemi të varfër.
Urime Shqipëria e militantëve të zjarrtë dhe e turmave të bindura. Faleminderit që e bëni të ardhmen të duket më e largët!
P.S: Përpiquni të fshihni sekretet e vogla se ato të mëdhatë i mbulon dyshimi publik!
Please follow and like us: