Albspirit

Media/News/Publishing

Andrzej Duda: 230-vjetori i Kushtetutës polake, të parës kushtetutë në Europë

KRENARIA E REPUBLIKËS/230- vjetori i Kushtetutës polake, të parës kushtetutë në Europë,  duhet të jetë një festë frymëzuese për gjithë Europën bashkëkohore

 

Nga Andrzej Duda – President

Në atmosferën e gëzueshme pranverore kremtojmë në Poloni festën e madhe kombëtare, gjeneza e së cilës është e shekullit XVIII. Atë e shenjon kushtetuta e miratuar më 3 Maj 1791, e pagëzuar me emrin ‘Ligj qeveritar’ ose Kushtetuta e 3 Majit. Ligji themeltar modern, i miratuar asaj kohe është kushtetuta e parë në Europë dhe e dyta në botë dhe përbën një vepër juridike epokale. Miratimi i këtij akti të rëndësishëm nga Parlamenti i Madh i Republikës së Dy Popujve në Varshavë kishte dimensionin e një kthese të madhe historike. Trashëgimia e Kushtetutës së 3 majit, mendimi i saj juridik, mesazhi i lirisë dhe demokracisë përbën një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të trashëgimisë europiane. Ndaj dhe 230-vjetori i miratimit të kësaj kushtetute duhet të jetë një festë inspiruese për mbarë Europën bashkëkohore.

Aktet e mëdha sistemore shpesh janë efekt i kondensimit politik apo kulturor, frut i një analize të thellë të anëve të qarta dhe të errëta të rrjedhës së ngjarjeve të kohës. Gjithsesi arti qëndron të dish t’i përmirësosh me mençuri, dhe jo t’i shembësh totalisht, udhëhequr nga ndonjë mendim utopik, shkëputur nga  kushtet historike. Rendi i ri nuk mund të dekretohet arbitrarisht në letër, ai duhet të jetë produkt i përvojave autentike njerëzore, produkt i  brengave dhe synimeve.

Shembull i  lidhjes së suksesshme të mendimit vizionar dhe realizmit është kushtetuta amerikane, e para në rruzull, që në vetvete ishte përgjigja më e mirë ndaj sfidave historike. Po kështu hartuesit e Kushtetutës së 3 Majit të vitit 1791 planin e tyre të reformave e transplatuan në situatën konkrete politike dhe shoqërore. Kushtetuta ishte  medikamenti më i goditur për krizën që kishte prekur Republikën e atëhershme. Ligji themeltar kishte për t’i shërbyer të drejtave, qeverisjes, por edhe stabilitetit të shtetit. Ai kishte për t’i dhënë forcë organizmit shtetëror që të mund t’i kundërvihej në mënyrë të pavarur dhe të efektshme veprimeve armiqësore të  fuqive fqinje që mëtonin ta dominonin Republikën dhe që përfundimisht të gllabëronin territorin e saj. Nuk ishte e rastit që Rusia e Ekaterinës së Dytë dhe Prusia e Frederikut të Dytë vizatonin në hapësirën ndërkombëtare një tablo negative të polakëve, duke i paraqitur si të paaftë për vetëvendosje dhe vetëqeverisje. Kushtetuta e 3 Majit përbënte një provë që realisht ishte  krejt e kundërta: se pikërisht prej andej, nga Evropa Qendrore e Lindore, nga Republika e Shqiponjës polake dhe heraldikës lituane, që  ishin shtëpi e përbashkët e  shumë popujve dhe kulturave, burojnë zgjidhjet  bashkëkohore, njëherësh vizionare, të shëndetshme dhe avangarde.

Jubileu i sivjetëm i Kushtetutës së 3 majit është njëkohësisht rast për t’i bërë homazh gjithë traditës së lavdishme juridike të  Republikës së dikurshme, traditës së sundimit të ligjit, demokracisë, parlamentarizmit. Ajo përbën një  pjesë domethënëse të identitetit tonë. Vlen të mësohet që tradita e pasur republikane, inspiruar nga arritjet e Romës së lashtë dhe Greqisë, në Poloni kishte mbërritur qysh në shekullin XIV. E drejta fisnikërore neminem captivabimus (askush në burg pa vendim gjyqësor) e vitit 1430 e kapërcente ndjeshëm aktin angez Habes Corpus Act të vitit 1679. Ligji parlamentar nihil novi sine communi consensu (nuk ka asgjë të re pa pëlqimin e përgjithshëm) që i ndalonte monarkut të fuste çfarëdolloj ligji të paaprovuar nga parlamenti- është i vitit 1505. Qysh prej vitit 1573 mbreti zgjidhej me zgjedhje të përgjithshme nga gjithë fisnikëria, e cila përbënte asokohe 10% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Akti i konfederatës varshaviane i vitit 1573 edhe sot e kësaj dite konsiderohet monument i tolerancës fetare. Ndërsa vetë vendimi i vitit 1569 i Republikës së Dy Popujve- shtetit të përbashkët të polakëve dhe lituanëve, krijuar me konceptin e unionit me vullnet të lirë dhe të drejta të barabarta- përbënte fenomen për Evropën e atëhershme, të cilin mund ta pranojmë si protoplazmë të Bashkimit të sotëm Europian.

Kushtetuta e 3 majit që e shndërroi Republikën e shekullit XVIII në monarki kushtetuese, mbështetur në ndarjen e tri pushteteve dhe që u garantonte qytetarëve të drejtat e tyre- përbënte një  zhvillim konsekuent të trashëgimisë sonë. Vlen gjithashtu të theksohet që kjo reformë e rëndësishme kushtetuese, novatore,  ishte efekt i një procesi politik dhe jo i  ndonjë revolucioni dhe represioni të elitave ndaj gjithë klasave shoqërore. Lajtmotiv kushtetues ishte idea e bashkësisë qytetare: “Wiwat Mbreti i dashur! Wiwat Parlamenti! Wiwat populli, wiwat të gjitha Shtresat”! Ky akt historik mbetet për ne burim i përhershëm i krenarisë së thellë.

 Armiqtë e lirive mendonin që kushtetuta moderne e lirive të 3 majit përbënte për ta kërcënim. Rusia perandorake absolutiste, me mbështetjen e Prusisë, për atë kushtetutë shkaktoi luftë dhe bëri çmos për ta asgjësuar trashëgiminë e saj. Megjithatë vepra e Kushtetutës së 3 majit mbijetoi. Në ndërgjegjen e gjeneratave  u regjistrua kujtesa për atë reformë sistemore epokale, kujtesa për çlirimin e mendjes dhe shpirtit, qëllim i të cilit ishte modernizimi shpëtimtar që inspirohej nga vlerat universale më të epërme. Trashëgimia e Kushtetutës së 3 majit është pjesë e pandashme e trashëgimisë më të mrekullueshme europiane. Jo rastësisht, gjatë kremtimeve të  50 vjetorit të traktateve romake, Kushtetuta e 3 majit u referua si “një nga burimet e para të ideve të Bashkimit Europian”.

Jam i bindur që edhe sot, bashkërisht, mund të përfitojmë nga  dispozitat ideore dhe  trashëgimia e kushtetutës së majit- që mund të na japë shumë mbi trajtën e ardhshme të  integrimit europian si dhe mbi  amendimin e mundshëm të ardhshëm të traktateve europiane. Parimi i 3 majit “çdo pushtet i shoqërisë njerëzore merr jetë nga vullneti i popullit” duhet të jetë përherë inspirues. Mangësitë e demokracisë, artikulimi joadekuat i përfaqësimit  shoqëror në vendimarrjet e Bashkimit Europian- përbën njërën nga sfidat tona të përbashkëta më të rëndësishme (është interesante që tensioni  midis nevojës së praktikimit si të demokracisë ashtu edhe të  meritokracisë, e gjejmë në dispozitat e kushtetutës së majit). Me ç’duket ajo kushtetutë ishte në kërkim të mënyrave të pajtimit të traditës me bashkëkohësinë- sepse ishte një ngjizje e  mendimit të Iluminizmit dhe kultivimit të  vlerave kristiane, të pranuara si themele të unitetit të Evropës.  Duhet theksuar që Ligji qeveritar i vitit 1791 udhëhiqej nga  parime që sot i shohim si  themele të civilizimit dhe rendit europian; respektimi i dinjitetit njerëzor,  lirive, barazisë dhe solidaritetit. Këto  drejtime të busullës aksiologjike, nuk mund t’i humbasim kurrë nga fushëpamja jonë.

Për arsyet e parashtruara ndaj me ju krenarinë e thellë dhe gëzimin në këtë 230 vjetor të  miratimit të Kushtetutës së 3 majit. Kjo është një festë e madhe për polakët dhe lituanët, për gjithë popujt e Europës Qendrore dhe Lindore, të cilët ishin pjesë përbërëse e trashëgimisë së Republikës së atëhershme; por është edhe festa jonë e përbashkët europiane. Kushtetuta e 3 majit le të na frymëzojë për ndërtimin e një Europe më të mirë, më të integruar. Le të jetë ashtu si në këngët e moçme “e  nersërmja e majit”.

Ky tekst botohet njëkohësisht me të përmuajshmen polake të mendimit Wszystko co najważniejsze, në kuadër të projektit të realizuar me Institutin e Kujtesës dhe KGHM.

Please follow and like us: