Ndahet nga jeta Dashuri Murati, gazetarja dhe përkthyesja e gjuhës turke në Radio Tirana International
Gazetarja dhe përkthyesja e gjuhës turke në Radio Tirana International, Dashuri Murati ka ndërruar jetë.
Zonja Murati filloi të punojë për Radio Tirana International në 1976 në seksionin e gjuhës turke.
Nga ai vit e deri sa ajo doli në pension Dashuri Murati u shqua për përgjegjësinë e saj dhe profesionalizmin e lartë.
Qëndrimi i saj pozitiv, drejtësia, bashkëpunimi dhe dëshira për të qenë në shërbim të të tjerëve na ka prekur të gjithëve.
Ajo ishte një nga përkthyeset më të mira të gjuhës turke në Shqipëri.
Dashuri Murati ka qenë aktive dhe e suksesshme si përkthyese në shumë takime zyrtare, në kuadër të vizitave të delegacioneve të rangut më të lartë të shtetit turk.
Me përvojën e saj profesionale dhe cilësitë e mira njerëzore, zonja Murati ishte për vite një model frymëzues për përkthyesit më të rinj.
Dashuri Murati ka fituar respektin e të gjithë kolegëve dhe dëgjuesve të saj gjatë punës dhe aktivitetit të saj të gjithanshëm në historinë e programeve të Radio Tiranës në gjuhën turke dhe më gjerë.
Dashuri Murati do të jetë gjithmonë në zemrat dhe kujtimet e bashkëpunëtorëve të Radio Tirana International.
Kemi humbur një mike të dashur dhe një kolege të vlerësuar.
Zemrat tona shkojnë drejt familjes Murati.
Dashuri Murati ishte bashkëshortja e diplomatit dhe studiuesit të shquar Shaban Murati./voal. ch