Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Ikonomi: NJË NUSE DEMOKRATIKE PËR MBRETËRINË SHQIPTARE

Në vitin 1930, aq i madh ishte meraku për nusen e ardhshme të mbretit beqar Ahmet Zog, saqë oborri mbretëror iu drejtua për ndihmë kryediplomatit amerikan në Tiranë, Herman Bernstein.

Në një kabllogram të datës 4 dhjetor për sekretarin e shtetit në Uashington, ministri Bernstein përshkruan bisedën që pati në legatë me Abdurahman Krosin, baba për shpirt i Mbretit Zog. Krosi shoqërohej nga Faslli Frashëri, ish-deputet që shërbente si përkthyes.

Krosi e filloi bisedën duke thënë se legata amerikane ishte e vetmja ku ai vinte për këshilla dhe për ndihmë, se Amerika ishte i vetmi vend të cilit Shqipëria i zinte besë, se vetëm Amerika mund ta ndihmonte Shqipërinë dhe se në fakt e kishte ndihmuar.

Aburahman Krosi, shkruan Bernstein, ishte një burrë i gjatë dhe shpatullgjerë, të cilit i trembeshin të gjithë, edhe anëtarët e kabinetit. Ai ishte besnik deri në fund i Mbretit dhe e donte monarkun si fëmijën e vet, sepse e kishte rritur dhe mbrojtur me duart e tij.

“Unë jam fshatar, jo diplomat. Nuk marr vesh nga politika dhe diplomacia, prandaj do t’ju flas nga zemra,” i tha Krosi ministrit amerikan.

“Kam kohë që jam në merak për Mbretin, sepse ka ardhur çasti që të martohet. Por kam frikë se do të ishte e rrezikshme që ai të martohej me një princeshë europiane. Më e rrezikshmja nga të gjitha do të ishte një princeshë italiane. Çdo princeshë e huaj do të sillte me vete intriga dhe rreziqe të reja për Shqipërinë. Prandaj kemi arritur në përfundimin se gjëja më e mirë për Shqipërinë do të ishte nëse Mbreti Zog merr një nuse amerikane. Një grua amerikane e kulturuar dhe plot energji do të ishte një shembull i shkëlqyer për popullin tonë. Shqiptarët nuk do ta pëlqenin martesën e Mbretit me një princeshë të huaj, por do të ishin të kënaqur me një grua amerikane. Vendi do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nga kjo martesë. Ne e dimë se një grua amerikane si mbretëreshë e Shqipërisë do t’i sillte vendit jo vetëm kapital amerikan, por edhe sigurinë se pavarësia jonë do të ishte e mbrojtur.”

Krosi e pyeti ministrin nëse mund ta ndihmonte.

“I thashë se kjo ishte një çështje kaq delikate, – shkruan Bernstein, – saqë nuk e kuptoja se si mund të jepja ndonjë ndihmë. Ai më tha se ministri i mëparshëm i Amerikës Charles C. Hart kishte qenë mjaft i interesuar për këtë çështje dhe kishte premtuar ndihmë.”

Bernstein kërkoi të dinte se a ishte Mbreti Zog në dijeni të këtij plani. Krosi u përgjigj se kishte folur shpesh për këtë punë me Mbretin, i cili i kuptonte rreziqet e martesës me një princeshë europiane.

“Mbretit nuk kanë ç’i duhen familjet e degjeneruara mbretërore të Europës, – tha Krosi. Ai do të donte një grua demokratike amerikane si mbretëreshë të Shqipërisë dhe në qoftë se kjo lloj martese nuk bëhet dot, do të preferonte të mbetej beqar”.

Bernstein e pyeti se çfarë gruaje amerikane kishte në mend Mbreti Zog. Krosi u përgjigj:

“Një grua e pasur por e shëmtuar nuk e tërheq Mbretin. As do ta donte një grua të bukur por të varfër.”

Krosi tha se puna e fesë nuk do të ishte fare pengesë, madje në fakt martesa e Mbretit me një grua të krishterë do të ishte një shembull i shkëlqyer i lirisë fetare në Shqipëri dhe se popullin shqiptar do ta gëzonte një martesë e tillë.

“Në këtë pikë, – shkruan Bernstein, – Krosi më pyeti përsëri nëse mund ta ndihmoja. I shpjegova me shumë delikatesë se nuk mund të bëhesha shkes për t’i gjetur grua Mbretit të Shqipërisë.”

Shtatë vjet më vonë, fati i trokiti në derë Mbretit. Në fund të vitit 1937 ai u njoh me 22-vjeçaren Geraldine Appony. Ndonëse ishte hungareze, ajo e kishte nënën amerikane. Ndonëse ishte katolike, feja nuk u bë fare problem për martesën e tyre. Ajo ishte jo shumë e pasur, por shumë e bukur. Mbi të gjitha kishte një shpirt demokratik dhe një zemër fisnike.

Please follow and like us: