Albspirit

Media/News/Publishing

Afera Pegasus, paditë e para kundër Hungarisë

Qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë ishin vendet e vetme të BE që spiunuan kritikët e tyre me softuerin “Pegasus”. Tani të prekurit kanë ngritur paditë e para.

 Kur Szabolcs Panyi në pranverën e vitit 2021 u vu në dijeni, se në celularin e tij ishte vendosur një softuer spiunimi, nuk mendoi për një aksion të thjeshte përgjimi. Ky softuer nuk regjistron vetëm bisedat telefonike, por ka qasje në të gjitha të dhënat e telefonit dhe mund të hapë mikrofonin apo kameran pa vënë re. “Ndjehem sikur më kanë hyrë në shtëpi, në zyrë, sikur kanë vënë përgjues kudo, kudo kamera, dhe madje më duket sikur po më ndjekin edhe në dush”, thotë gazetari investigativ.

Panyi, redaktor në portalin investigativ, Direkt36 është njëri nga një duzinë personash që shteti hungarez i ka përgjuar me softuerin Pegasus – duke shkelur ligjin. Sepse ata nuk ishin kriminelë të kalibrit të lartë apo terroristë, kundër të cilëve do duhej të përdorej përgjimi. Ata ishin thjesht kundërshtues apo të rrezikshëm për sistemin e kryeministrit, Viktor Orban për shkak të hulumtimeve të tyre gazetareske apo aktiviteteve politike.

Afera Pegasus u bë e njohur në botë në korrik 2021 – një rrjet gazetaresk publikoi atëherë informata për listat e zbuluara me 50.000 numra telefonikë, që ishin objekt sulmesh me softuerin e spiunazhit. Në Hungari ishin të prekur 300 vetë, mes tyre telefonë të gazetarëve, avokatëve, aktivistëve politikë, sipërmarrjeve, e madje telefoni i një ish-ministri.

Screenshot der TASZ.hu Webseite TASZ informon për paditë e të prekurve nga afera e përgjimit, Pegasus në Hungari

Kontroll më i mirë i shërbimeve sekrete

Tani një gjysmë viti më vonë, të prekurit në Hungari po kërkojnë mbrojtjen e ligjit për këtë përgjim, mes tyre edhe Szabbolcs Panuyi. Kjo është hera e parë që viktima të Pegasus ngrenë padi në një shtet të BE. Të prekurit synojnë padi tek gjykata dhe autoriteti i mbrojtjes së të dhënave, NAIH, si edhe në Izrael, tek prokuroria e përgjithshme. Ata përfaqësohen nga organizata për të drejtat e lirive, TASZ, një nga organizatat më të rëndësishme civile hungareze dhe nga avokati izraelit, Eitay Mack. TASZ e bëri publike se do të marrë përsipër këtë çështje të premten.(28.01.) “Ne duam të arrijmë, që të prekurit të dinë, se çfarë informacionesh dhe të dhënash kanë shërbimet sekrete për ta”, tha juristi i organizatës, TASZ, Adam Remport për DW. “Nga ana tjetër duam të arrijmë që të veprojmë në përgjithësi kundër keqpërdorimit të përgjimit dhe të ndikojmë që shërbimet sekrete në Hungari të kontrollohen më mirë dhe në mënyrë të pavarur.”

Shitje e Pegasus megjithë rezervat

Në Izrael do të ngrejë kërkesën e padisë avokati, Eitay Mack tek prokuroria e përgjithshme izraelite dhe Ministria e Mbrojtjes, që duhet të japë leje për shitjen e softuerit. Mack ka ndërmarrë disa herë veprime ligjore kundër Pegasus, mes të tjerash edhe për përdorimin e tij në Meksikë, por pa sukses. Por avokati nuk do të dorëzohet. “Pegasus iu shit tek shteti hungarez, megjithëse kishte shumë dyshime për shkak të situatës jo të mirë të shtetit ligjor në Hungari”, thotë Mack për DW. “Prandaj dua të përpiqem të ngre padi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ndër të tjera për mos pengimin e një vepre penale dhe shkeljen e të drejtës për sferën private.”

Pegasus në Poloni

Kur u bë e njohur afera Pegasus, Hungaria konsiderohej si i vetmi vend i BE ku ishte përdorur një softuer spiunazhi kundër kritikëve të qeverisë. Në fund të vitit 2021 u bë e ditur, se edhe qeveria polake, PiS kishte bërë të njëjtën gjë. Në të dyja vendet qeveritë pranuan në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, se ishin përgjuar persona me Pegasus. Në Hungari e konfirmoi këtë padashur para gazetarëve deputeti dhe politikani i lartë i partisë, Fidesz në nëntor 2021, kur tha se Ministria e Brendshme e kishte blerë Pegasus, një deklaratë që pak më vonë u cilësua nga prokuroria hungareze se “nuk i përgjigjet fakteve.” Por shumë pak dyshime mbeten.

Armiku i përbashkët Soros

Orban dhe ish-kryeministri izraelit Netanjahu kanë një armik të përbashkët, miliarderin amerikan, me origjinë hebreje dhe hungareze, George Soros, i cili mbështet me aktivitetet e tij shoqërinë civile. Të dy politikanët e kanë mbështetur njëri-tjetrin. Hungaria ka bllokuar në BE rezoluta kritike kundër Izraelit. Nga ana tjetër Netanjahu i ka dhënë qeverisë Orban dëftesën e një lufte shembullore kundër antisemitizmit, megjithëse në Hungari ka pasur fushata me ngjyrime antisemitiste kundër Sorosit. “Izraeli ka paguar një çmim të lartë për mbështetjen nga ana e Hungarisë, sepse ka mbuluar antisemitizmin e qeverisë Orban”, thotë Eitay Mack. Avokati është i bindur, se softueri Pegasus ka qenë një pjesë e bashkëpunimit të tyre. “Ky softuer spiunazhi është mjet i diplomacisë izraelite”, thotë Mack.

Pegasus i hodhi poshtë publikimet se me softuerin e saj janë spinuara gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, korrik 2021

Paranojë në sistem

Si avokati izraelit edhe juristi hungarez, Adam Remport e dinë, se procedurat në vendet e tyre mund të zgjasin me vite. Mack thotë, se nuk do të heqë dorë, derisa Izraeli të marrë përgjegjësi për eksportin e armëve, edhe armëve kibernetike si Pegasus në vendet autokratike. Remport nga ana e tij thekson, se TASZ në rast nevoje do të shkojë edhe në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Straburg.

Szabolcs Panyi dhe kolegët e tij të portalit investigativ “Direkt36” kanë zbuluar rastë të reja të keqpërdorimit të softuerit Pegasus në Hungari, e nuk bëhej fjalë vetëm për kritikët e qeverisë së Orbanit. Në fund të dhjetorit ata publikuan informata për përdorimin e Pegasus edhe tek telefonat e presidentit hungarez, Janos Ader, një mik prej vitesh i Orbanit. “Kur shohim, që spiunohen njerëzit edhe në rrethin e afërt të Orbanit”, thotë Panuyi, “atëherë nuk mendon dot ndryshe, vetëm se në sistem madje ka një lloj paranoje”/DW

Please follow and like us: