SPAK nis hetimet për Dritan Agollin, fitoi tenderin kuzhinieri që punonte me djalin e tij

SPAK ka vënë nën hetim kreun e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agollin, pas zbulimit të skandalit ku tenderin prej 400 mijë dollarë ia dha Alfio Rotanit, kuzhinierit që punonte me djalin e tij. Mësohet se Agolli po hetohet nga SPAK për shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
Pesë ditë më parë Fondi shpalli fitues të tenderit Kompania “Mascarpone” ku aksioner kryesor është Alfio Rrotani. Pikërisht me 27 Janar të këtij viti është shpallur fitues i tenderit me objekt shërbim konsulence për ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar menynë e ”100 Fshatrave” nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Por gara ngre hije dyshimi dhe kompromentimi pasi Alfio Rrotani ka punuar me djalin e kreut të FSHZH, Flladi Agolli në restorantin e tij në zonën e Gjirit të Lalzit, në Hamallaj. Gjithashtu një tjetër dyshim lidhet edhe me faktin se sipas dokumentacionit, bar-restoranti rezulton në adresën Rruga ”Sami Frashëri”, përballë Shkollës Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, që përkon me adresën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.