Ambasadori gjerman: E rëndësishme të zgjatet mandati i organeve të Vettingut
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, përmes një deklarate ka thënë se procesi i reformave në sektorin e drejtësisë është vendimtar për aspiratat e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që mandati i organeve të Vettingut të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit për prokurorët dhe gjykatësit të përmbyllet sa më shpejt.
“Procesi i reformave në sektorin e drejtësisë është vendimtar për aspiratat e Shqipërisë lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Verifikimi i gjykatësve dhe prokurorëve është një element kyç në këtë kontekst. Ndaj për vendin është shumë e rëndësishme që mandati i institucioneve të pavarura dhe përgjegjëse të vettingut, i cili përfundon në qershor, të zgjatet, në mënyrë që procesi i verifikimit të përmbyllet sa më shpejt. Qeveria dhe opozita kanë përgjegjësinë e përbashkët për të rritur sundimin e ligjit duke u mundësuar kështu qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë të ecin më tej në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, deklaron Zingraf.
Zgjatja e afateve të Vettingut do të diskutohet në parlament pas 2 ditësh, më 10 Shkurt.