Robert Goro: Një mik i mirë dhe një koleg i rrallë është larguar në amëshim
Një mik i mirë dhe një koleg i rrallë është larguar në amëshim.
Takis Diamantis ka humbur betejën për jetën, i tradhëtuar prej zemrës së vet, duke vërtetuar rishtas aksiomën e vjetër se gazetarët janë veçanërisht vulnerabël ndaj goditjeve kardiake. Gazetarët e vërtetë ama, ata që kanë zemër dhe shpirt. Gazetarët si Takis Diamanits…
U njohëm 31 vite më parë, në Tiranën e trazuar të pranverës 1991, ku Takis kishte ardhur bashkë me shoqen e ardhshme të jetës, Marinën, në zbatim të misionit fisnik për të parë me sytë e tij e dëgjuar me veshët e tij atë çka do të përcillte më pas në gazetën Elefterotypia.
Në ato kohë të zymta, kur shtypi grek ishte i mbushur me tituj bombastikë e lajme të paqena për zhvillimet në Shqipëri, Takis Diamatis ishte zëri i vetëm objektiv, i paanshëm e konstruktiv, pse çdo informacion ai e merrte direkt te burimi; nuk shkruante po të mos ishte i bindur se kishte ezauruar gjithë alternativat e mundshme të faktit dhe analizës.
“Minishengeni ballkanik” që aq shumë përflitet sot, ishte sendërtuar që në fillim të viteve 1990 prej Takit e Marinës. Sot kam mall për ato udhëtimet, drekat e darkat, pushimet e kaluara së bashku, një dorë gazetarësh nga vendet e rajonit, shqiptarë, sllavomaqedonas, serbë, që veç të tjerash na bashkonte dëshira e sinqertë që gjithë popujt e Ballakanit të vinin më afër njeri tjetrit, pse gjërat që na bashkonin ishin dukshëm më shumë se ato që na mbanin të ndarë.
Kështu vazhdoi Takis Daiamantis gjatë gjithë jetës dhe aktivitetit të vet profesional.
Në kapërcyell të viteve 2000, kur trazirat ishin zhvendosur në FYROM, ai dhe Marina (bashkë me Jasonin 3-4 vjeçar), jetuan për disa vjet në Shkup, duke përcjellë gjithçka me përkushtim ndaj parimeve të shenjta të gazetarisë.
E di se Takis Diamantis ka në Shqipëri miq të shumtë, gazetarë, politikanë, por edhe njerëz të thjeshtë që do të trishtohen nga lajmi i vdekjes së tij.
Unë për vete ngushëllohem me faktin se ai iku i mbushur e i plotësuar, duke lënë pas vetes një emër dhe kujtime të shkëlqyera. Dhe natyrisht, i lumtur që e njoha dhe kalova kaq momente të bukura profesionale bashkë me të…
Please follow and like us: