Poezia e Reginald Dwayne Betts vjen në shqip nga Senad Guraziu
Reginald Dwayne Betts [1980, ShBA]
Për ty: antofil, dashnor i luleve,
trëndafilat e gjelbër, krizantemat, zambakët: retrofilia,
filokalia, filomatia, sarkofil – gjithë kjo dashuri,
e së shkuarës, e bukurisë, e njohurisë, e mishit; ky është
katalog dhe regjistër: filaletist, negrofilist, neofilist.
Një negro-burrë ecën poshtë rrugës, çezmat e Newport
shpërthejnë në murin me tulla dhe të shikojnë. Dashuro
këtë akt: ligofili, litofilike. Qëndro në gjirin e gurëve,
në zemrën e errësirës. Si shtëpi xhami jemi. Filopornist,
filoteknik. Pse t’mos e adhurojmë demimonden?
Dashuro – një dhomë-qoshe, çdo gjë që nuk është aty,
cilëndo rrëmujë që ti e mban sekret. Palaeofili,
ornitofili: ti, antikuari, i polenizuar nga zogjtë.
E gjithë kjo si rrugë e ëndrres për petalet e trëndafilit të gjelbër
në shtratin që ti e do; petrofilik, stigmatofili:
jeto pranë gurshkëmbit, dhimbje tatuazhi;
për ty topofili: cili vend të pëlqen? Të gjitha këto fjalë
për dashurinë (për Ty), të gjitha këto mënyra për të thënë besoji
simfilisë, për të thënë le t’frymojmë pranë njëri-tjetrit.
– – –
* antofilia – për insektet ose tjerat gjallesa që i frekuentojnë lulet, lulishtet
* retrofilia – ndjenja e fuqishme e dashurisë ose tërheqja për gjërat e së shkuarës
* filokalia – ndjenja e dashurisë ndaj bukurisë, për të bukurën ose ndaj së bukurës
* filomatia – ndjenja e dashurisë për dijet ose pas dijeve, filomat – ai që çmon arritjen e njohurisë; aktin e të studiuarit
* sarkofilia – joshje nga mishi, pëlqim i mishit si ushqim
* filaletilia – ndjenja e dashurisë për të vërtetën; ai që do të vërtetën
* negrofilia – ndjenja e dashurisë për zezakët, kulturën e zezakëve…
* neofilia – afinitet i fuqishëm ose ndjenjë e dashurisë për gjërat e reja
* ligofilia – ndjenja e tërheqjes ndaj errësirës, dashuria për të errtën
* litofilik – për bimët ose shtazët që rriten ose gjallojnë në vende të gurta
* filopornist – ai që ndjehet mirë me vizitat tek prostitutat, pëlqim, konformizëm me prostitucionin
* filoteknik – ndjenja e dashurisë për artin, dëshira për t’i studiuar dhe përkrahur artet
* demimonde – klasë e femrave në Francën e shek. XIX që konsideroheshin të dyshimta sa i përket moralit dhe rangut shoqëror
* palaeofilia – ndjenja e dashurisë për antikuariatin, ose njohuritë lidhur me gjëra të antikës
* ornitofilia – ndjenja e dashurisë për zogjtë, adhurimi i zogjve
* petrofila – ngjitur ose që jeton në faqe gurësh; në sipërfaqe shkëmbore, posaqërisht për algat
* stigmatofila – ekscitimi seksual nga tatuazhet dhe “piercings” (nga xingla-minglat metalike të përshkuara në mish, nëpër pjesë të ndryshme të trupit : )
* topofilia – ndjenja e fuqishme lidhur me një vend të caktuar, që zakonisht dyzohet me ndjenjën e identitetit kulturor
* simfilia – bashkëjetesë ose marrëdhënie me dobi reciproke ose pëlqim të dyanshëm, psh. disa lloje thneglash dhe insekte tjera të ndryshme (që jetojnë në çerdhet e tyre)
– – –
© Reginald D. Betts – Burimi: Revista “Poetry”, Shtator 2011 (via Poetry Foundation, ShBA)
© Për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2015