KURTI: SULMI RUS, AGRESIONI MË I MADH PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak – jo vetëm në Evropë – që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kurti në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e administratës publike në Kosovë.
“Në këto çaste të trishta për Evropën, dhe jo vetëm, ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë mes tjerash Kurti.